Lidhje

Tiranë, opozita protestë para parlamentit


Në Shqipëri,opozita zhvilloi sot protestën e radhës para parlamentit, të mbledhur në seancën e zakonshme. Për gati 4 orë, mbështetësit e saj qëndruan përballë hyrjes kryesore, ku nuk munguan dhe momentet e tensionit, pas disa përpjekjeve të përsëritura për të çarë kordonin e sigurisë. Protesta u mbyll pas një ndalese në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku drejtuesit e opozitës kërkuan lirimin e një grupi të rinjsh të ndaluar gjatë paradites

Opozita, tjetër protestë para parlamentit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:15 0:00

Godina e parlamentit ishte sërish sot e rrethuar nga forca të shumta të policisë, të cilat kishin bllokuar dhe hyrjet e rrugëve anësore që të çojnë drejt tij. Ndërsa në sallë nisi seanca, jashtë, opozita ishte grumbulluar në protestën e radhës. Për afro katër orë mbështetësit e saj qëndruan para hyrjes qëndrore me thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Edhe këtë herë nuk munguan momentet e tensionit, ndërsa pati disa përpjekje të përsëritura të grupeve të protestuesve për të çarë kordonin e policisë. Në ndryshim nga protestat e mëparshme, këto përpjekje u sprapsën pa patur nevojën e përdorimit të gazit lotsjellës.

Nga selia e parlamentit, manifestuesit marshuan më pas drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në hyrje të së cilës sërish ishin rreshtuar forca të shumta të rendit. Disa nga udhëheqësit e opozitës u takuan me drejtuesit e policisë për të kërkuar lirimin e një grupi të rinjsh, të ndaluar gjatë paradites, ndërsa u përpoqën të kalonin në një nga rrugët e bllokuara nga policia.

Protesta shënoi fundin e saj në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, ku nënkryetari Edi Paloka tha se nuk do të ketë asnjë forcë që të bllokojë rrugën e saj për një demokraci të vërtetë: “Nuk do të ketë, për ata që mendojnë se stabiliteti ka më shumë rëndësi se demokracia. Nuk do të ketë asnjë ditë stabilitet për këtë qeveri të krimit, derisa demokracia të rikthehet në Shqipëri".

Ndërsa opozita protestonte gjatë ditës, parlamenti vijoi punimet e tij në sallë. Në fillim të seancës, u bë dhe betimi i tre deputetëve të rinj, nga listat e Partisë Lëvizja socialiste për integrim. Njëri prej tyre, Ralf Gjoni, u sulmua në mëngjes, teksa dilte nga banesa e tij, nga një I ri I cili I hodhi bojë në fytyrë. Zoti Gjoni foli për një sulm të urdhëruar, duke shtuar se "ai dhe ajo që e kanë porositur këtë lloj sjelljeje rrugësh, duhet ta dinë që kam ardhur të betohem, dhe nuk frikësohem për asnjë moment, nga ky lloj destabilizimi që ato po përpiqen të mbjellin në vendin tonë. Unë jam këtu që të [ërfaqësoj të gjithë ata të rinj e të reja pozitivë, prindër fëmijësh, që kanë shpresë se ky vend mund të bëhet”.

Deri më tani janë 14 kandidatë nga listat e partive të opozitës që kanë marrë mandatin, ndërkohë që dhe tre të tjerë kanë nisur sot procedurat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG