Lidhje

Banka Botërore nxit Shqipërinë të përparojë me reformat dhe me BE-në


Banka Botërore tha se rritja ekonomike e Shqipërisë mund të rishikohet këtë vit për shkak të thatësirës.

Vitin e kaluar prodhimi dhe eksporti i energjisë elektrike zuri vend kryesor në rritjen ekonomike.

Eksperët pohuan se reformat strukturore dhe afrimi me BE-në duhen vazhduar si në Shqipëri edhe në rajon.

Banka Botërore i bëri këto komente gjatë publikimit të Raportit Ekonomik Rajonal.

Banka Botërore, Shqipëria të përparojë me reformat
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:36 0:00

Sipas saj, rritja ekonomike e Shqipërisë për këtë vit mund të rishikohet me ulje për shkak të faktorëve frenues, mes të cilëve janë kushtet klimatike dhe situata politike.

“Pasiguria politike dhe vonesa në zbatimin e reformave strukturore mund të dëmtojnë si klimën e biznesit edhe ecurinë e anëtarësimit në BE, i cili duhet të vijojë të jetë një nga qëllimet kryesore të vendit” - tha Ilda Shijaku, eksperte e Bankës Botërore.

Sipas raportit të WB, është jetike të çohen përpara reformat për të zbutur risqet dhe pakënaqësinë publike në rritje.

Banka Botërore thotë se protestat që kanë përfshirë disa vende të rajonit janë shenjë e pasigurisë.

“Këto protesta që vihen re në shumë vende të Ballkanit lidhen edhe me vonesat në zbatimin e reformave strukturore. Në rastet kur ato lidhen me një pasiguri ekonomike apo me kushte të vështira ekonomike dhe me një pasiguri për të ardhmen, autoritetet e këtyre vendeve duhet të marrin masa, që të përshpejtojnë reformat strukturore, duke lehtësuar integrimin në tregun e punës përmes investimeve në kapitalin njerëzor, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe duke krijuar kushte të barabarta zhvillimi për të gjithë” - tha zonja Shijaku.

Sipas Bankës Botërore, detyra kryesore mbeten përmirësimi i klimës së biznesit dhe zbatimi i ligjit, sepse këtë vit ekonomia do të rritet më pak se vjet.

“Rreziqet fiskale janë të pranishme dhe lidhen kryesisht me aktivitetet jashtë bilancit, ku përfshihen PPP-të, si dhe detyrimet që mund të akumulojnë ndërmarrjet publike” - tha zonja Shijaku.

Rritja e prodhimit dhe eksportit të energjisë elektrike ndihmoi vjet rritjen e ekonomisë me 1.5 për qind në totalin prej 4 për qind, por investimet e huaja të drejtpërdrejta janë tani në ritme të ngadalta.

Ndër rreziqet e jashtme janë edhe luftërat tregtare të nisura mes shteteve dhe vështirësitë ekonmike të vendeve fqinje.

“Një tjetër faktor i jashtëm risku është një ritëm më i ngadaltë në rritjen ekonomike të vendeve të BE-së, sidomos të Italisë, e cila regjistroi recesion së fundmi. Gjithashtu janë edhe kushtet më pak të favorshme për huamarrjen, të cilat do të rritnin koston e huamarrjes për Shqipërinë, e cila është ekspozuar ndjeshëm ndaj huamarrjes së huaj” - tha zonja Shijaku.

Rritja ekonomike, sipas ekspertëve, erdhi kryesisht nga rritja e kërkesës së brendshme dhe konsumi më i madh tregtar.

Shqipëria, tha Banka Botërore pati vjet një rritje ekonomike mbi 4 përqind, borxhi publik u ul dhe vendet e punës u shtuan, por reformat strukturore dhe ecja drejt BE-së duhen shpejtuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG