Lidhje

Stoltenberg: NATO përgatitet t’u përgjigjet sfidave të reja e të paparashikueshme


Stoltenberg: NATO e aftë të transformohet përballë sfidave të reja
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Donald Trump do të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të udhëheqësve të NATO-s që zhvillohet në Londër më 2-4 dhjetor Presidenti mirëpret takimin me krerët e tjerë të shteteve anëtare të NATO-s, për të analizuar përparimin e paparë në ndarjen e barrës financiare, thuhet në deklaratën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë.

Në një kohë kur vërehet një populizëm në rritje në Evropë dhe në Amerikën e Veriut, shumë pyesin nëse organizatave shumëpalëshe si NATO—ja u ka kaluar koha. Këtyre pyetjeve u bëri jehonë Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e quajti NATO-n në “vdekje klinike”.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg thotë se NATO-ja mbetet aleanca më e suksesshme në historinë e njohur të njerëzimit. Në një intervistë me korrespondenten e shërbimit të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe, Jela de Franceschi, zoti Stoltenberg flet për përpjekjet që po bën aleanca për të ecur me kohën dhe për t’iu përgjigjur sfidave dhe reziqeve të reja:

Ndryshime dhe sfida politike kanë vënë në provë fuqitë perëndimore në të dyja anët e Atlantikut, por nuk ka vend për t’u shqetësuar për të ardhmen e NATO-s, thotë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg:

“Ka pasur edhe më parë tema serioze ku janë vërejtur dallime mes aleatëve, por si edhe në shumë raste më parë, kemi arritur të qëndrojmë të bashkuar rreth detyrës tonë thelbësore: të mbrojmë njëri-tjetrin mbi parimin ‘një për të gjithë e të gjithë për një’. E bëjmë sepse i shërben interesave tona të sigurisë pasi jemi më të sigurtë e më të fortë së bashku”.

NATO-ja mbetet aleanca më e suksesshme në historinë e njohur të njerëzimit, thotë zoti Stoltenberg. Ky sukses është siguruar falë unitetit mes partnerëve, edhe në kohë divergjencash mbi tema të caktuara. Një tjetër faktor i rëndësishëm është aftësia e aleancës për t’iu përshtatur kohërave. Kjo aftësi, thotë sekretari i përgjithshëm i aleancës, do ta ndihmojë këtë orgazitatë të ballafaqohet me sfidat e shekullit të 21-të:

Zëri i Amerikës: Tani po ngrihen fuqi të reja, për shembull Rusia, e cila mund të mos jetë një fuqi ekonomike, por është fuqi ushtarake. Po ashtu Kina, e cila ka deklaruar se do t’ia kalojë Amerikës brenda vitit 2025.Nga këndvështrimi i NATO-s si i gjykoni këto zhvillime?

Jens Stoltenberg: NATO-ja është aleanca më e suksesshme në histori për arsye të unitetitqë na bashkon, pavarësisht nga divergjencat. Po ashtu ne arritëm t'u përshtatemi ndryshimeve. Arritëm të pengojmë Bashkimin Sovjetik në Evropë. Në fakt NATO ka vepruar edhe përtej territorit të saj. Ne u angazhuam në Ballkan për të ndihmuar për ndaljen e gjakderdhjes. U angazhuam në luftën kundër terrorizmit pasi ishim të pranishëm edhe në Afganistan.

Tani NATO-ja duhet të pështatet përsëri pasi shohim ngritjen e Rusisë me aneksimin e Krimesë, kemi kërcënime të reja hibride, si dhe ngritjen e Kinës. Kemi përpara mundësi të reja, por edhe sfida.

Aleanca do të vazhdojë të përshtatet për të ecur me kohën, thotë zoti Stoltenberg. Ai pohon se ngritja e fuqive të reja me ambicje globale e vë NATO-n përballë nevojës për t’u përgatitur për të mos lejuar zgjerimin e influencës së këtyre fuqive në forma që mund të vinin në rrezik vetë anëtarët e aleancës.

Zëri i Amerikës: Në një seancë dëgjimore kohët e fundit, disa ekspertë thanë se Kina po ndërton infrastrukturë në disa vende dhe se në momente vështirësish ekonomike, Kina arrin të marrë në dorë operimin e projekteve në një mënyrë që mund të bllokojë lëvizjen e mjeteve të NATO-s në momente të caktuara. A ju shqetëson ky skenar?

Jen Stoltenberg: Operacionet tona ushtarake varen nga infrastruktura civile: rrugët urat, portet detare, aeroportet, kabllot e komunikimit përmes Atlantikut dhe rrjetet e telekomunikacionit. Prandaj kemi krijuar udhëzuesin e operimit. Po ashtu kemi ndryshuar kërkesat për sistemet e telekomunikimit. Tani kërkojmë instalimin e teknologjisë 5G në zonat ku vërejmë ndryshime të mëdha.

Zoti Stoltenberg thotë se këto kërkesa nuk mund t’u imponohen vendeve jo-anëtare, si për shembull Serbia, por është një kërkesë e detyrueshme për vendet që kërkojnë të aderojnë:

“Vendet që futen në NATO duhet të kenë linja të sigurta dhe të besueshme komunikimi. Kemi kërkesa specifike për infrastrukturën civile dhe për rrjetin 5G, për vende të reja anëtare si për shembull Maqedonia e Veriut”.

NATO-ja do të vazhdojë politikën e dyerve të hapura, thotë zoti Stoltenberg;

“Kur fqinjtë tanë janë më të stabilizuar, ne jemi më të sigurtë. Kur fqinjtë tanë futen në NATO, ne bëhemi më të stabilizuar dhe më të sigurtë”.

Suksesi më i madh i Aleancës së Atlantikut Verior është se bëri të mundur përfundimin e Lutës së Ftohtë pa një të shtënë. Por misioni i NATO-s nuk përfundoi me kaq. Alanca përballet me sfida të reja, thotë Sekretari i saj i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg. Ai shprehet i bindur se organizata që drejton do të jetë në gjendje të përshtatet me realitetin e ri dhe t’u përgjigjet rreziqeve e krizave të reja që do të lindin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG