Në një raport të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thuhet se prokuroritë dhe gjykatat në Kosovë po vazhdojnë të trajtojnë rastet e korrupsionit të nivelit të ultë duke dështuar të trajtojnë rastet e korrupsionit të profilit të lartë.
Këto të dhëna u bënë të ditura në një tryezë me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”, e organizuar nga ky institut, me mbështetjen e Departamentit amerikan të shtetit – përkatësisht Byrosë kudnër Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit.
Në raport thuhet se viti 2019, ka vazhduar të karakterizohet me dukurinë e shtyrjes së një numri të madh të seancave gjyqësore në rastet e korrupsionit.
“Andaj lirisht mund të themi se në bazë të këtij procesi të monitorimit shihet qartë se të gjitha palët në procedurë nuk është se e marrin seriozisht prioritetin që nevojitet në trajtimin e rasteve të korrupsionit sidomos lëndëve të profilit të lartë”, tha Arrita Rezniqi, hulumtuese e projektit.
Në raport thuhet se prokuroritë dhe gjykatat “ende komoditetin e tyre në luftën kundër korrupsionit e bazojnë kryesisht tek luftimi i korrupsionit të nivelit të ultë”, dhe rrallë herë përballen me rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
“Prokuroritë edhe në këtë vit vazhdojnë me hetimin dhe ndjekjen penale kryesisht të zyrtarëve që i takojnë profilit të ultë, respektivisht prokuroritë kanë pasur në punë lëndë të korrupsionit ndaj 412 personave që i takojnë profilit të ultë, ndaj 310 personave që i takojnë profilit të mesëm dhe ndaj 53 personave që i takojnë profilit të lartë”, tha Arrita Rezniqi, hulumtuese e projektit.
Në raport vihet në pah edhe mungesa e aktakuzave për rastet e korrupsionit nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
“Sidomos gjatë kësaj periudhe kohore prej nëntë muajve PSRK ka zgjidhur pesë raste të korrupsionit ku kanë qenë të përfshirë 20 persona, do të thotë ndaj këtyre 20 personave, 13 prej tyre janë pushuar hetimet ndërsa ndaj 7 të tjerave lënda është zgjidhur në mënyrë tjetër. Kjo do të thotë se gjatë kësaj periudhe raportuese nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk është ngritur asnjë aktakuzë e profilit të lartë për vepra penale korruptive”, tha Arrita Rezniqi, hulumtuese e projektit.
Në raport thuhet se “sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme përmes veprave penale të korrupsionit ende është një temë tabu dhe pa asnjë rezultat në sistemin prokurorial dhe gjyqësor. Prokurorët ende punën e tyre e bazojnë në logjikën e ngritjes së aktakuzave por jo edhe identifikimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, parashtrimin e kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë”.
Një sfidë për sistemin e drejtësisë sipas Arrita Rezniqit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi mbetet mënyra e zbatimit të politikave ndëshkimore ndaj rasteve të korrupsionit.
“Përkundër faktit që në krahasim në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka pasur rritje të dënimit me burg, megjithatë edhe gjatë kësaj periudhe raportuese prapë numri më i madh të dënimeve të shqiptuara janë dënimet me kusht dhe dënimet me gjobë e pastaj pasohet dënimet me burgim”, tha ajo.
Drejtori i Programit Ndërkombëtar kundër Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në ambasadën amerikane në Prishtinë, Shaën Ëaddoups tha se një sfidë për sistemin e drejtësisë në Kosovë mbetet mos zbatimi i udhëzuesit për dënimet dhe se sipas tij duhet të bëhet më shumë në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
“Konfiskimi i pasurive është mjet thelbësor, është mjet i fortë dhe ligji duhet të zbatohet. Ne do të vazhdojmë mbështetjen në këtë fushë”, tha ai.
Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kosovës, Enver Peci tha se dështimi më i madh po ndodhë si pasojë e mos zbatimit të politikave të njëjta ndëshkimore. Ai tha se nuk janë duke u respektuar dispozitat ligjore të matja e dënimit.
“Dyfishimi i rrethanave lehtësuese rënduese, pesha e veprës penale, rrezikshmëria shoqërore e veprës penale me të cilën është shkaktuar nga vepra më të shëmtuara të korrupsionit, nëse te këto vepra penale gjykatat gjejnë elemente apo rrethana lehtësuese atëherë unë konsideroj që nuk është duke u zbatuar dispozitat e Kodit Penal në kuptimin ashtu siç i ka paraparë ligjvënësi”, tha zoti Peci.
Raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi tregon se gjatë tri viteve të fundit numri i lëndëve dhe personave të përfshirë në raste të korrupsionit është duke u zvogëluar ndërsa bën thirrje për ngritjen e cilësisë së punës dhe qasje më aktive të Prokurorit të Shtetit në hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë dhe gjykimit në gjykata.
Facebook Forum