Lidhje

Vetëvendosje dhe LDK, ende pa pajtim për marrëveshje për bashkëqeverisje


Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk arritën sot pajtim për një marrëveshje për bashkëqeverisje, përkatësisht për ndarjen e pushtetit.

Vetëvendosje dhe LDK, ende pa pajtim për marrëveshje për bashkëqeverisje
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha pas takimit se në negociatat me Lidhjen Demokratike ka pasur përparim por jo edhe marrëveshje.

“Për shkak se qartazi kemi gjëra për të cilat nuk jemi marr vesh mirëpo avancim në diskutimet që kemi bërë ka, e atëherë kur do ta kemi marrëveshjen e plotë do të mund ta shpalosim atë gjerë e gjatë. Përfundon takimi i sotëm dhe unë jam në kontakt të drejtpërdrejt me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës sa i përket ditës edhe orës që të vazhdojmë më tutje drejt marrëveshjes”,tha zoti Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se me Vetëvendosjen patën diskutime përmbajtësore.

“Ne kemi pasur pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës dhe çështjeve të cilat janë harmonizuar deri më tani ndërmjet grupeve tona punuese. Kemi edhe çështje tjera që i kemi diskutuar sot me zotin Kurti për të cilat do të punojmë që të arrijmë një përafrim ose qëndrime të përbashkëta të cilat mund t’i ndihmojnë bërjes së koalicionit. Sot nuk ka marrëveshje për koalicion, ka marrëveshje që të vazhdojmë edhe më tutje që të punojmë edhe të hulumtojmë rrugë që të afrohemi në qëndrimet tona”,tha zoti Mustafa.

Lidhja Demokratike po kërkon që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të jetë edhe posti i presidentit të Kosovës dhe ai t’i takojë asaj në vitin 2021.

Të dyja partitë politike pohojnë se kanë harmonizuar programin qeverisës dhe kabineti i ri pritet të ketë 12 ministri, nëntë më pak sesa qeveria e kaluar.

Lëvizja Vetëvendosje që doli e para dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit janë pajtuar që menjëherë pas certifikimit të rezultateve të ulen dhe të përmbyllin marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Të dyja subjektet politike kanë siguruar 57 vende në parlamentin me 120 deputetë, ndërsa për ta miratuar formimin e qeverisë duhen së paku 61 vota. Për këtë ato llogarisin në votat e deputetëve të komuniteteve joserbe.

Rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar më 27 nëntor dhe nga ajo ditë rrjedh afati prej 30 ditësh për mbledhjen e parë të parlamentit që duhet të thirret nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Nëse arrihet një marrëveshje ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, kjo do të ishte hera e parë që Vetëvendosje do të hyjë në qeveri, që nga viti 2009 kur shpalli vendimin për të hyrë në politikë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG