Lidhje

Të burgosurit e harruar në Ukrainën Lindore


Të burgosurit e harruar në Ukrainën Lindore
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Ndërsa Ukraina dhe Rusia diskutojnë për rifillimin e bisedimeve të paqes, mijëra familje mbeten të copëtuara si rezultat i konfliktit. Në zonat e kontrolluara nga rebelët, në pjesën lindore të Ukrainës, qindra njerëz janë ndaluar dhe akuzohen për spiunazh, ndërsa ka prova të shumta për tortura dhe vrasje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell foli me familjen e një burri të kapur nga forcat rebele, e cila përshkruan dhimbjen e ndarjes nga njeriu i dashur dhe tmerrin e përjetimit të vuajtjeve të tij nga larg.

Kanë kaluar gati dy vjet që kur Svetlana Timofeeva pa për herë të fundit bashkëshortin, Aleksandrin. Çdo ditë ajo shkon dhe lutet në kishë që ai të kthehet shëndosh e mirë. Së bashku me familjen ajo është zhvendosur në Kiev nga qyteti Donetsk. Bashkëshorti, Aleksandri ishte kryeteknik në një fabrikë mishi. Kur shpërtheu lufta në vitin 2014, rebelët morën nën kontroll qytetin Donetsk.

Ndërkohë Aleksandri ishte zhvendosur me punë në Kiev. Më 26 dhjetor 2017, gjatë një vizite për festat së bashku me familjen në territorin e mbajtur nga rebelët, Aleksandri u kap nga forcat ruse. Svetlana Timofeeva tregon ...

“Pas dy ditësh filluan të më dërgonin kërcënime. Më telefonuan dhe më kërkuan 20 mijë dollarë ose përndryshe do ta copëtonin trupin e tij.”

Ajo refuzoi të paguante dhe më pas mësoi se burri i saj mbahej në një bazë të rebelëve.

“Autoritet e Republikës Popullore të Donetskut kanë krijuar një kamp përqëndrimi në një fabrikë të braktisur. Njerëzit mbahen në mënyrë të paligjshme dhe torturohen brutalisht. Burri im ishte aty.”

Svetlana mësoi se bashkëshorti i saj akuzohej se spiunonte për Ukrainën. Ajo thotë se akuza është absurde. Ajo thotë se u largua nga Donetsku kur mësoi se rebelët kishin në plan të rrëmbenin djalin e saj. Aktualisht ajo jeton në një apartament të vogël në dalje të Kievit së bashku me nënën e saj të moshuar, Lyudmila.

Një muaj më parë, Aleksadri u dënua me 14 vjet burg. Disa ditë më parë Svetlana u shokua kur pa të shoqin në një video në YouTube, i dobësuar dhe me shenja plagësh në fytyrë.

Në video, Aleksandri duket se pranon se kishte spiunuar për Ukrainën. Avokatët thonë se është rrëfim i bërë nën presion dhe duket se po lexon nga një letër e mbajtur para kameras.

Gjatë javëve të fundit, Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer të burgosur si pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për t’i dhënë fund luftës.

“Fatkeqësisht kanë kaluar dy vjet që nga kapja e burrit dhe asnjë rob që mbahet në territorin Donbas nuk është liruar”, thotë Svetlana.

Ukraina po kërkon arritjen e një marrëveshje, duke ofruar autonomi për territorin lindor nën kontrollin rebel në këmbim të zgjedhjeve të lira. Svetlana thotë se ajo nuk mund të kthehet më kurrë.

“Këta njerëz që i bënë thirrje Putinit për të dërguar forcat e armatosura më kanë lënduar shumë. Ata kanë shkelur mbi mua, familjen time dhe burrin tim. Ata sollën këtu forcat ruse. Kam jetuar atje një vit pas fillimit të luftës. Kam parë forcat ruse. Nuk dua të kthehem më në atë qytet. Nuk është më vendi im.”

Pavarësisht se çfarë marrëveshje paqeje mund të arrihet mes Ukrainës dhe Rusisë, për shumë viktima të luftës, jeta nuk mund të kthehet më kurrë në normalitet.

Prova që burri i saj është gjallë i jep shpresa Svetlanës. Por atë e ndjekin tmerret që ka përjetuar burri i saj qindra kilometra larg, në një vend që ata dikur e quanin qytetin e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG