Lidhje

SHBA, masa të reja kundër trafikut të qënieve njerëzore


Administrata e Presidentit Trump po tërheq vëmendjen tek problemi i trafikut me njerëz në Shtetet e Bashkuara. Shtëpia e Bardhë shënoi 20 vjetorin e Ligjit për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikut duke njoftuar të premten masa të reja për të forcuar ndëshkimin e trafikantëve dhe për të zgjeruar programet për mbrojtjen e individëve të rrezikuar dhe rehabilitimin e viktimave. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Ardita Dunellari e ndoqi ceremoninë e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë dhe njofton në materialin në vazhdim se megjithëse aktivistët e mirëpresin shtimin e vëmendjes ndaj këtij problemi, ata shprehen me kritika për një numër politikash të administratës Trump.

Administrata Trump njofton masa të reja kundër trafikut me njerëz
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00

Presidenti Trump nënshkroi dje një urdhër të ri ekzekutiv për t’i dhënë qeverisë federale kompetenca të reja për të luftuar trafikun me njerëz.

“Do të trajtojmë me përparësi shtimin e fondeve për të luftuar trafikun në buxhetin e vitit 2021, duke akorduar 70 milionë dollarë për ndjekje penale përmes Departmentit të Drejtësisë. Do të shpenzojmë 123 milionë dollarë për të mbështetur përpjekjet në nivel shtetëror e lokal,” tha presidenti.

Ne ekipin e presidentit për politikat shtetërore do të krijohet një post i ri që do të koordinojë përpjekjet në shkallë federale kundër trafikut me njerëz. Administrata është zotuar ta luftojë këtë problem edhe në shkallë ndërkombëtare:

“Po vëmë në zbatim ligje për të luftuar trafikun seksual, për të shtuar masat mbështetëse për të mbijetuarit dhe për të rritur standardet mbi të cilat gjykojmë se si vende të tjera përmbushin detyrimet në luftën kundër trafikut me njerëz,” tha presidenti.

Një numër rganizatash për të drejtat e njeriut e bojkotuan takimin e të premtes, duke kritikuar administratën Trump se ka braktisur viktimat e trafikut në radhët e imigrantëve.

Një ndër këto organizata, Refugee International, tha përmes një deklarate se politikat e administratës Trump “vënë në rrezik viktimat e trafikut dhe zhbëjnë masat ekzistuese të arritura me mund për të mbrojtur viktimat të miratuara nga Kongresi dhe të gjatë dekadës së fundit”.

Presidenti Trump e ka lidhur fushatën e tij për të penguar imigracionin e paligjshëm me luftën kundër trafikut me njerëz, duke i portretizuar imigrantët si kriminelë që rrëmbejnë gra e fëmijë për t’i shfrytëzuar.

Trafiku me njerëz, apo skllavëria moderne është një problem madhor në mbarë botën. Sipas shifrave të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, 24.9 milionë vetë në shkallë bote shfrytëzohen në punë të detyruar ose në tregtinë e seksit.

Skllavëria moderne gabimisht interpretohet si fenomen i shoqërive të pastabilizuara me institucione të dobëta, por gjendet në fakt në çdo cep të globit:

“Ka njerëz të rrezikuar – fëmijë, të rinj e të reja në të gjithë botën, të cilët shënjestrohen dhe shfrytëzohen nga trafikantë,” thotë një aktiviste.

Katariina Rosenblatt e njeh këtë realitet mirë, pasi ka qenë vetë viktimë. Në moshën 13 vjeçare ajo ra pre e trafikut seksual në Florida.

Tani Katariina punon për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë problem. Ajo e mirëpret nismën e administratës, por shpreh shqetësim se të mbijetuarve nuk u është dhënë një rol më qendror në vendim-marrje:

“Do të doja të shihja një angazhim më të zëshëm të të mbijetuarve, të cilët të përfshihen në çdo agjenci federale dhe të luajnë rol”.

Në gjashtë muajt e ardhshëm, agjencitë federale të përfshira në përpjekjet anti-trafik do të paraqesin propozime konkrete për të zbatuar objektivat që presidenti rendit në urdhërin e tij të ri ekzekutiv.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG