Në Shqipëri në 24 orët e fundit është rregjistruar një tjetër viktimë me koronavirus, ndërsa janë konfirmuar 24 raste të reja. “Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një paciente 64-vjeçare nga Tirana e intubuar prej më shumë se 2 javësh. E shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja shëndetësore e pacientes është përkeqësuar mëngjesin e sotëm dhe ka bërë arrest kardiorespirator. 64-vjeçarja kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese”, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Shkon kështu në 26 numri i qytetarëve që kanë humbur betejën me këtë sëmundje.
Në rastet e reja ka një rikthim të të infektuarve në Shkodër. Të paktën gjysma e të prekurve në 24 orët e fundit janë pikërisht nga kjo zonë. Ndërkohë për herë të parë hartës së qyteteteve ku janë verifikuar raste me Covid 19, i është shtuar dhe Mallakastra. Në total në të gjithë vendin, deri sot numërohen 518 të prekur.
Shefja e Departamentit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino, tha se janë testuar 269 persona, nga të cilët 53 kanë qenë pjesë të stafeve shëndetësore. Prej tyre 6 kanë rezultuar pozitiv, duke e çuar në 58 numrin e mjekëve dhe infermierëve të infektuar,
Mbeten ndërkohë të ulta shifrat e të shtruarve në të dy spitalet që po trajtojnë të infektuarit. Sipas të dhënave të reja janë gjithsej 43 pacientë nga të cilët 3 janë në gjendje kritike, dhe 7 të tjerë po ashtu janë në terapi intensive.
Në rritje dhe shifrat e të shëruarve, të cilët kanë shkuar në 277 me 26 pacientët e rinj që kanë rezultuar negativë.
Ndërkaq, parlamenti zhvilloi sot një seancë të pazakontë, ku deputetët mbanin maska në fytyrë dhe qëndronin shumë larg nga njëri - tjetri. Deputetët diskutuan dhe miratuan disa ndryshime në Kodin Penal për të ndëshkuar ata shtetas, që shkelin masat e gjendjes së jashtëzakonshme dhe gjendjes së epidemisë dhe që përhapin me dashje sëmundjet infektive. Këto ndryshime në Kodin Penal u kundërshtuan fort nga deputetët e opozitës sot në sallë si dhe më herët nga 30 organizata të shoqërisë civile, si shkelje dhe abuzim me liritë dhe të drejtat njerëzore. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i kërkoi parlamentit, që para se të votojë këto ndryshime në Kodin Penal, duhet të sigurohej nëse ato respektonin Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Zoti Meta u kërkoi deputetëve të rivlerësojnë masat e dënimeve penale, të cilat duhet të jenë të qarta dhe të mos cënojnë parimin e sigurisë juridike. Ndërsa kryeministri Rama foli për masat e karantinës dhe nevojën e shtesave në Kodin Penal.
Në fund të seancës gjatë votimit, ndryshimet e miratuara me votim përfshinë të gjtiha propozimet e presidentit, duke përmirësuar ndjeshëm projeket nenet e mëparshme. Këto përmirësime janë fryt i konsultimeve profesionale të juristëve deri në castin e fundit midis dy institucioneve.
Një ditë më parë Presidenti Meta zhvilloi një mbledhje online të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua situata e pandemisë dhe bashkëpunimi i institucioneve për të përballuar atë. Në të morën pjesë qeveria dhe opozita dhe palët vlerësuan frymën bashkëpunuese në këtë situatë të vështirë.
Autoritetet policore vazhdojnë të zbatojnë masa të rrepta me ndalim qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve për të siguruar distancimin social të qytetarëve. Shqipëria ka kaluar 4 fundjava me mbyllje të plotë 40 orëshe në banesa, ndërsa gjatë ditës vetëm një person mund të dalë nga familja për plotësimin e nevojave ushqimore dhe detyrimeve të tjera.
Facebook Forum