Lidhje

Ekonomia amerikane tkurret 4.8% në tremujorin e parë


Departamenti amerikan i Tregtisë tha të mërkurën se prodhimi i brendshëm i përgjithshëm, u tkurr më shumë se 4.8 përqind në tremujorin Janar-Mars. Kjo është rënia më e madhe në një tremujor që nga Recesioni i Madh, i cili përfundoi në vitin 2009. Është gjithashtu tkurrja e parë e një tremujori në gjashtë vjet.

Ndërkaq, Banka Qendrore e SHBA, e njohur ndryshe si Rezerva Federale, e cila ka hedhur disa trilion dollarë fonde emergjence në tregjet financiare amerikane për të frenuar dëmin që pandemia po i shkakton ekonomisë, përsëriti të mërkurën premtimin se do të bëjë gjithçka për të mbështetur ekonominë më të madhe të botës.

Rezerva Federale tha në një deklaratë se "është e angazhuar të përdorë gamën e plotë të mjeteve ka në dispozicion, për të mbështetur ekonominë e SHBA në këtë kohë sfiduese, duke ndjekur synimin e saj për një nivel maksimal punësimi dhe stabilitet çmimesh." Deklarata vjen në mbyllje të një takimi dyditor të Bankës i mbajtur përmes videokonferencës.

Kriza e shëndetit publik, thuhet në deklaratë, "do të rëndojë shumë mbi aktivitetin ekonomik, punësimin dhe inflacionin në afatin e afërt, dhe paraqet
rreziqe të konsiderueshme për perspektivën ekonomike në afatin e mesëm."

Rezerva Federale tha se planifikon t’i lërë normat e interesit afër zeros deri kur të përmirësohen kushtet për rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik.

Analistët thonë se edhe më i zymtë është parashikimi për tremujorin pasardhës prill-qershor, periudhë gjatë së cilës mbylljet e bizneseve dhe pushimet nga puna goditën me forcë shkatërruese.


Administrata e Presidentit Donald Trump ka një pikëpamje më optimiste. Presidenti u tha gazetarëve këtë javë se ai pret një "rritje të madhe" në tremujorin e tretë, që do të ndiqet nga një "tremujor i katërt i jashtëzakonshëm.” Prej disa javësh, biznese të shumta në të gjithë vendin janë mbyllur dhe dhjetëra miliona njerëz kanë humbur punën. Besimi i konsumatorëve ka rënë gjithashtu.


Megjithatë, disa ekonomistë shpresojnë se rigjallërimi do të vijë shpejt pasi të përfundojë kriza shëndetësore.

Numri i të konfirmuarve me koronavirus në SHBA e ka kaluar shifrën një milion ndërsa ai i të vdekurve është rreth 58,400. Dr. Anthony Fauci, i cili drejton Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, thotë se pret që numri i rasteve me COVID-19 të shtohet kur vendi të rihapet nga izolimi.

Ai tha të mërkurën për rrjetin CNN se një raund i dytë i koronavirusit është i pashmangshëm, por se sa i rëndë do të jetë, kjo do të varet nga progresi që do të jetë bërë në SHBA gjatë muajve të ardhshëm. "Nëse nuk i zbatojmë me sukses të gjitha kundërmasat, tha ai, mund të përballemi me një vjeshtë dhe një dimër të rëndë".

XS
SM
MD
LG