Mijëra vetë parakaluan pranë arkivolit me trupin e George Floyd në një kishë në Hjuston. 46-vjecari afrikano-amerikan vdiq dy javë më parë gjatë arrestit nga policia. Vdekja e tij zgjoi protesta mbarë-kombëtare kundër praktikave policore ndaj popullatës afrikano-amerikane.
Ata që shkuan për homazhe pranë arkivolit të hapur mbanin maska për të shmangur përhapjen e koronavirusit.
Ndër personat që zhvilluan homazhe ishte edhe guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, i cili tha në komentet për shtyp se do të përfshijë familjen e viktimës në diskutimet mbi reforma në praktikat policore.
Para kishës, organizatorët kishin sjellë një tufë të madhe me lule që krijonte me ngjyra fjalët Jetët e Popullatës me Ngjyrë Janë me Vlerë.
Nesër zhvillohet varrimi i trupit të George Floyd në një varreze në Hjuston, ku ai jetonte deri pak vjet përpara, para se të vendosej në Mineapolis në përpjekje për mundësi më të mëdha punësimi.
Protestuesit në mbarë botën marshuan kundër racizmit dhe brutalitetit policor gati dy javë pasi afrikano-amerikani George Floyd, vdiq në duart e policisë në Mineapolis të Minesotës. Siç njofton Kane Farabaugh i Zërit të Amerikës, protestat vijnë ndërsa janë planifikuar shërbesa përkujtimore për Floydin në Karolinën e Veriut dhe për funeralin e tij në Teksas.
Uashington D.C ishte skenë e disa prej protestave më të mëdha kundër racizmit në vend që u mbikëqyrën nga forcat federale dhe të zbatimit të ligjit, të ndihmuara nga trupat e Gardës Kombëtare, të sjellë për të shuar dhunën dhe trazirat.
"Ajo që pamë gjatë javës së kaluar ishte me të vërtetë një qytet jashtë kontrollit, dhe unë i lumtur të them që gjatë disa ditëve të fundit kemi parë që dhuna të ulet", thotë Chad Wolf sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Chad Wolf ia atribuon uljen e dhunës pranisë së shtuar të sigurisë në rrugët e kryeqytetit.
"Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën dhe do të ulim numrin e trupave që kemi në D. C. pasi dhuna të zvogëlohet".
Të dielën, Presidenti Donald Trump tha se urdhëroi tërheqjen e trupave të Gardës Kombëtare në D.C pasi dhuna u kthye në protesta kryesisht paqësore ditët e fundit.
Por roli i trupave amerikane gjatë trazirave është bërë një çështje shumë e debatuar.
Gjenerali në pension dhe ish shefi i Shtatëmadhorisë amerikane Martin Dempsey ishte një nga disa drejtues të lartë udhëheqësish ushtarakë që foli kundër dëshirës së Presidentit Trump për të shtuar praninë e trupave ushtarake amerikane në rrugët e qyteteve amerikane.
"Duke pasur parasysh gjendjen e trazirave dhe rrezikun e vendosjes së ushtrisë në një pozicion ku marrëdhënia me popullin amerikan do të ndikohej negativisht, mendova që duhet të thosha diçka".
Kryetarja e bashkisë së Uashington DC Muriel Bowser i dërgoi një letër Presidentit Trump ku i kërkonte heqjen e forcave shtesë të zbatimit të ligjit dhe trupave të Gardës Kombëtare nga Uashington DC. Ajo beson se taktikat e përdorura nga forcat e sigurisë kundër protestuesve pranë Shtëpisë së Bardhë para se Presidenti Trump të vizitonte një kishë aty pranë javën e kaluar, kontribuan në tubime më të mëdha të protestës.
"Ajo që panë amerikanët ishin forcat e policisë federale që hodhën gaz lotsjellës mbi protestuesit paqësorë dhe mënyra si ata u përgjigjën, e bëri të qartë për Presidentin se amerikanët do të ushtronin të drejtat e tyre të Amendamentit të Parë dhe do ta bënin atë në mënyrë paqësore. Ajo që bëri në të vërtetë siç e pamë ditët e fundit ishte se më shumë njerëz dolën për të protestuar paqësisht".
Ndërsa turma të mëdha u mblodhën për protesta në shumë qytete amerikane, njerëz nga i gjithë vendi shkuan në Karolinën e Veriut për të marrë pjesë në shërbimet përkujtimore pranë qytetit të lindjes së George Floydit.
"Sapo shkuam në shërbesë, ndjeva valën e emocioneve. Doja të qaja. Dhe më pas duke kaluar pranë dhe duke e parë atë të shtrirë atje, para së gjithash, u luta që Zoti ta bekojë shpirtin e tij për të qënë në paqe sepse ai nuk pati paqe në momentet e tij të fundit këtu në Tokë. Kështu që isha vetëm duke u lutur që Zoti ta bekojë shpirtin e tij që të jetë në paqe", thotë Kimberly Harrington.
Familja dhe miqtë e Floyd tani përgatiten të thonë lamtumirën e tyre të fundit gjatë shërbimeve mortore të planifikuara më vonë këtë javë në Hjustën të Teksasit.
Facebook Forum