Partitë politike në Maqedoninë e Veriut po zhvillojnë bisedime për formimin e koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve të 15 korrikut, por ende nuk ka hollësi se si do të duket qeveria e re. Nga ana tjetër, afatet për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë po afrohen, teksa social demokratët janë të bindur se ata do ta krijojnë shumicën parlamentare dhe kabinetin qeveritar.
Ndërkohë që Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë përafruar qëndrimet për koalicionin e ri qeverisës, BDI-ja fton partitë tjera shqiptare në një takim të përbashkët. Ali Ahmeti do të presë që në përvjetorin e 19 të Marrëveshjes së Ohrit, që është 13 gushti, të bisedojë me Ziadin Selën e Aleancës përe Shqiptarët, Afrim Gashin e Alternativës, Bilall Kasamin e Lëvizjes Besa dhe Menduh Thaçin e Partisë Demokratike Shqiptare. Ndërsa nuk ka hollësi nga zyra e Ahmetit për synimet e takimit dhe nga drejtuesit tjerë nëse do t’i përgjigjen ftesës, vlerësohet se partia me më shumë deputetë shqiptarë pret mbështetjen e partive të tjera shqiptare për koalicionin qeveritar; teksa Aleanca dhe Alternativa kanë folur për një lloj kushti: që BDI-ja të vazhdojë qëllimin e realizimit të premtimit për kryeministrin shqiptar, për çka ato do ta mbështesnin, në të kundërt të kalojë në opozitë.
Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev e shikon si trysni ftesën për takim të BDI-së si synim për arritjen e postit të kryeministrit shqiptar. Sipas burimeve brenda partisë shqiptare, në vitin e parë kryeministër do të ishte z. Naser Zyberi, ndërsa tre vitet tjera posti do t’i lihej partisë më të madhe maqedonase.
Nga ana tjetër, edhe VMRO-DPMNE-ja thotë se po përpiqet ta formojë shumicën parlamentare. Ajo ka 46 deputetë, dy më pak se social-demokratët; Afati për dhënien e mandatit nga presidenti Pendarovski po afron; kanë mbetur dhe katër ditë dhe partia që synon ta marrë atë duhet t’ia konfirmojë presidentit numrin prej 61 ligjvënësish të shumicës së re në parlament.
Nëse partia e parë nuk arrin ta formojë shumicën brenda një afati prej njëzet ditësh nga dita e marrjes së mandatit, atëherë mandati i kalon partisë së dytë më të madhe dhe kështu me radhë.
Një pjesë e analistëve vlerësojnë se bisedimet e partive janë mjaft të vështira dhe se ekziston rreziku që asnjëra të mos mund ta formojë koalicionin e shumicës brenda afateve të caktuara. Në atë rast do të duhej të shpalleshin zgjedhje të reja. Analistë të tjerë mendojnë se ka gatishmëri për formimin e qeverisë dhe se kjo gjë nxitet edhe nga komuniteti ndërkombëtar për të pasur një qeveri të qëndrueshme që do ta çonte vendin, sipas tyre, drejt dialogut për inetgrim në Bashkimin Evropian.
Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim para pak ditësh bënë të ditur se kanë nisur bisedimet dhe se të dy partitë pajtohen që të respektohet Marrëveshja e Prespës me Greqinë, Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Ohrit. “Eventualisht, programi i përbashkët qeveritar duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe programet zgjedhore të LSDM-së dhe BDI-së”, thuhet në një komunikatë të Lidhjes Social Demokrate, ku theksohet edhe nevoja për shmangien e retorikave nacionaliste të partive.
Social-demokratët dhe integristët i kanë numrat që vetë ta bëjnë qeverinë, përkatësisht 61 nga 120 vendet në parlament, por kjo shumicë nuk do të ishte e qëndrueshme. Sidoqoftë, analistët parashikojnë se kushdo që do ta formojë kabinetin qeveritar do ta ketë vështirë ta çojë mandatin deri në fund, për katër vitet e ardhshme.
Facebook Forum