Lidhje

Gjirokastër: Pandemia nxit njerëzit të lëvizin drejt zonave rurale


Pandemia, njerëzit lëvizin nga qyteti drejt zonave rurale
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:40 0:00

Pandemia e koronavirusit po e ndryshon jetën e njerëzve duke nxitur prirjen e tyre të lëvizin nga zonat urbane drejt zonave rurale. Një numër fermash dhe restorantesh të vogla po nxisin aktivitetin e tyre në rrethinat e Gjirokastrës duke plotësuar këtë interes.

Ndonëse sipërmarrjet përballen me mungesën e turistëve të huaj ato vleresojnë se interesimi i banorëve vendas për këto shërbime po rritet. Lëvizja e e njerëzve nga zonat urbane drejt zonave rurale po rritet në Shqipëri, pas fillimit të pandemisë së koronavirusit.

Ndonëse shumë qytete shqiptare nuk dallohen për dendësi të madhe të popullsisë pandemia po ndikon qe njerëzit të shfrytëzojnë shërbimet në zona natyrore apo t`i rikthehen shtëpive në fshatra. Ne rrethinat e Gjirokastrës ferma dhe restorante të vogla po shtohen dhe po synojnë t`i përgjigjen interesimit të rritur së fundi. Pandemia po e ndryshon botëkuptimin e njerëzve thotë për Zërin e Amerikës Zhenisa, që menaxhon me familje e saj Fermën “Graçi” dhe restorantin “Nga shtëpia”.

“Së fundi vihet re ndryshimi i stilit të jetesës. Njerëzit e kanë zhvendosur vëmendjen nga qendra e qytetit drejt periferive. Vë re që ka gjithnjë e më shumë familjarë, kryesisht, por edhe të rinj që e kalojnë kohën e lirë në restorant, jo në qendër të qytetit, në trotuare, por janë zhvendosur në periferi. Biznesi ynë është vetëm 2 km larg qytetit dhe është i arritshëm edhe me këmbë, jo vetëm me mjete. Vëmë re që ka një rritje të interesimti dhe ndryshim të mendësisë.”

Zonja Graçi thotë se bllokimi i kufirit ka sjellë mungesën e turistëve të huaj në fermën që ofron dhe zonën e kampingu, i cili vitet e tjera ishte shumë i frekuentuar.

“Jemi dëmtuar shumë nga pandemia. Pjesa e kampingut që tek ne frekuentimin e ka nga të huajt aktualisht është në nivelin zero. Të gjitha rezervimet janë anulluar Nuk kemi vendas në kamping. Vetëm restoranti vazhdon të funksionojë me protokollet e pandemisë, por kurrsesi nuk jemi në kapacitete tona të viteve të mëparshme”.

Ndërsa Pëllumb Guri pronari i Restorant “Guri” thotë se njerëzit po priren gjithnjë e më shumë drejt natyrës.

“Prirja e njerëzve drejt natyrës duket. Nisen edhe nga gatimet tradicionale. Njerëzit ndikohen dhe nga vendet më të qeta.”

Restoranti që Pëllumbi ka ngritur me familjen e tij mbështetet tek gatimet tradicionale të zonës. Pëllumbi thotë se pandemia e ka ulur pak aktivitetin këtë vit me mungesën e të huajve, por ai është i kënaqur se në restorantin e tij vijnë nga shumë zona të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Vijnë nga të gjitha anët. Nga Shkodra, Kosova. Sivjet është ulur numri i të huajve nga pandemia.”

Disa qindra metër më tutje Restorant Gurit, në rrethinat e Gjirokastrës Marsel Sula është në fazën e ngritjes së një ferme me prodhimet dhe gatime tradiconale të zonës.

“Cdo gjë është në mënyrën tradiconale shqiptare. Më e mira e mundshme që dijmë dhe bëjmë ne. Çdo gjë “Made in Albania”.

Disa vite më parë Marseli dhe familja e tij blenë një sipërfaqe toke dhe mbollën një vresht rrushi dhe pasi punuan 17 vjet në emigrim tani po e kthejnë këtë investim në një aktivitet familjar shërbimi.

“Gjithmonë ka qenë ideja dhe objektivi që do kthehem në Shqipëri dhe do bëj diçka. Dashuria për punën dhe vendin tim më shtyu ta marr këtë inisiativë.

Fshatra te vegjël të Gjirokastrës, qytet ne UNESCO, kane pasuri natyrore dhe kulturore dhe mundësi të mëdha për të tërhequr zhvillim pëmes shërbimeve të mikëpritjes. Ndonëse këtë vit në këto zona mungojnë turistët e huaj apo janë në një numer shumë të ulët banorët vlerësojnë se jeta në situatën e pandemisë është me e qetë dhe e sigurtë në këto zona. Krahas mikëpritjes, si vizitorët vendas, edhe të huaj, kanë çfarë të kërkojnë dhe të gjejnë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG