Lidhje

Shkup, Zoran Zaev merr mandatin për formimin e qeverisë së re


Në Maqedoninë e Veriut, Presidenti Stevo Pendarovski i dorëzoi sot kryetarit të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev mandatin për formimin e qeverisë. Zoti Zaev ka njëzet ditë afat për formimin e kabinetit dhe për t’i paraqitur parlamentit programin e qeverisë së re.

Ndonëse socialdemokrati Zoran Zaev e kishte njoftuar të mërkuren presidentin Pendarovski për sigurimin e shumicës parlamentare, megjithatë partitë shqiptare me të cilat Zaev po zhvillon bisedime, nuk kanë pohuar të kenë përafruar qëndrimet rreth një koalicioni të përbashkët qeverisës.

Shkup, Zoran Zaev merr mandatin për formimin e qeverisë së re
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Kjo është hera e dytë që zoti Zaev merr mandatin për formimin e qeverisë në karrierën e tij. Herën e parë para pothuaj katër vjetësh ai arriti ta formonte kabinetin në rrethana mjaft delikate që kishin pasuar sulmet e organizuara në parlament.

Nga ana tjetër, ekzistojnë dilema tek një pjesë e ekspertëve ligjorë nëse presidenti u nxitua me dhënien e mandatit zotit Zaev pa u siguruar shumica parlamentare prej 61 votash në parlamentin prej 120 vendesh.

Mandatari i ri dhe ish-kryeministër, Zoran Zaev tha se do të propozojë personalitete cilësore për në kabinetin qeveritar dhe një program cilësor që do të sillte një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët si dhe fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

Por, vetëm pas pak orësh nga dhënia e mandatit, në zyrën e presidentit maqedonas arriti drejtuesi opozitar Hristijan Mickovski me një grup prej mbi dhjetë deputetësh të partisë së tij VMRO-DPMNE. Zoti Mickovski e quan kundërkushtetues veprimin e Presidentit Pendarovski për dhënien e mandatit zotit Zaev sepse “ai nuk ka garantuar arritjen e shumicës parlamentare”. Mickovski bëri të ditur se për këtë prej sot VMRO-ja do t’i ngrijë raportet me presidentin e vendit.

Menjëherë më pas në një konferencë shtypi u paraqit zoti Pendarovski duke thënë se askush tjetër pos Zoran Zaevit nuk kishte njoftuar për përpjekjet për arritjen e shumicës dhe se presidenti kishte respektuar ligjet duke e ndarë mandatin brenda një afati dhjetë ditor nga seanca hapëse e parlamentit.

“Nuk mund ta mbaja në sirtar mandatin”, tha Pendarovski duke lënë të kuptohet se ishte konsultuar me ekspertë ligjorë dhe se kishte respektuar Kushtetutën. Ai tha se “Mickovski do të vijë që në mëngjes pas njëzet ditësh në presidencë edhe pse me ‘raporte të ngrira’, për ta marrë mandatin nëse Zaevi nuk arrin ta formojë qeverinë”.

Partia e tij, Lidhja e Social Demokrate po zhvillon bisedime intensive me Bashkimin Demokratik për Integrim, por asnjëra prej partive nuk kanë dhënë hollësi mbi rrjedhën e tyre. Ndërkohë, kanë dalë zëra se partia shqiptare po kërkon që posti i kryeminstrit t’i takojë asaj në vtin e parë dhe partisë maqedonase në tre vitet e mbetura. Njoftohet se është kërkuar që posti i kryetarit të parlamentit t’i takojë partisë e cila nuk do ta ketë kryeministrin.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Mary Byrnes e përgëzon z. Zoran Zaev për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë. “Presim të bashkëpunojmë me qeverinë e re sapo ajo të formohet. Si anëtar i ri i NATO-s e mbështesim përkushtimin e vendit drejt parimeve demokratike, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së tij evropiane”, shkruan ambasadorja Byrnes.

Ndërkohë, përpjekjet e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për të mbledhur po të ejten krerët e partive të tjera shqiptare në këtë ditë simbolike të 19 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, dështuan. Ziadin Sela, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Menduh Thaçi nuk shkuan në takimin e thirrur nga zoti Ahmeti për të biseduar mbi zhvillimet rreth qeverisë së re.

BDI-ja ka 15 ligjvënës, të mjaftushëm për koalicionin eventual LSDM-BDI, por një koalicion me 61 deputetë nuk konsiderohet i qëndrueshëm. Aleanca-Alternativa së bashku kanë 12 deputetë, Lëvizja Besa 4, në kuadër të koalicionit me LSDM-në dhe PDSH 1 deputet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG