Lidhje

SHBA, bjellorusët protestojnë në mbështetje të vendit të tyre 


The Belarusian community in the Chicago area holds a rally in support of the uprising in Belarus against the controversial reelection of President Alexander Lukashenko, August 22, 2020. (Kulsoom Khan/VOA)
The Belarusian community in the Chicago area holds a rally in support of the uprising in Belarus against the controversial reelection of President Alexander Lukashenko, August 22, 2020. (Kulsoom Khan/VOA)

Thirrjet "Rroftë Bjellorusia" jehuan në një kryqëzim të ngarkuar në periferi të Bafallo Grovit, në periferi të Çikagos, pasi njerëz të veshur me rroba të kuqe dhe të bardhë, ngjyrat e flamurit bjellorus,valvisnin me krenari flamurin e vendit të tyre dhe këndonin këngë patriotike.

Bjellorusët, pjesë e komunitetit të madh të Çikagos nga Evropa Lindore, kanë protestuar për të shprehur solidaritet me popullin e Bjellorusisë që nga zgjedhjet e 9 gushtit në vend, në të cilat Presidenti Aleksandër Lukashenko fitoi një mandat të gjashtë. Sipas rezultateve zyrtare, ai fitoi 80 për qind të votave në garën kundër udhëheqëses së opozitës, Svetlana Tsikhanouskaya, e cila ka thënë se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe është larguar nga vendi.

Që atëherë, dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në rrugët e kryeqytetit të Bjellorusisë, Minsk, kundër, siç thonë ata, manipulimit të zgjedhjeve dhe po bëjnë thirrje për dorëheqjen e Lukashenkos, të cilin kritikët e kanë cilësuar si "diktatorin e fundit të Evropës".

“Gjithë pushteti është në duart e vetëm një personi. Dhe askush nuk e di se çfarë është në mendjen e tij", tha Stas Pivavarau, i cili gjatë protestës mbante balona të kuqe dhe të bardha. "Kundër popullit të tij, ai është i gatshëm të bëjë gjithçka që është e mundur, vetëm për të ruajtur pushtetin".

Zoti Pivavarau, i cili u transferua në Çikago një vit më parë për të qenë më afër prindërve dhe vëllait të tij, ka studiuar në Zelandën e Re dhe ka mbështetur zonjën Tsikhanouskaya në zgjedhjet e fundit.]

"Kjo grua është bërë një simbol i ndryshimeve pozitive", tha ai.

Në Bjellorusi, protestat mbi rezultatet e zgjedhjeve janë pritur me dhunë nga policia, përfshirë rrahje, tortura, arrestime dhe ndalime.

"Është e dhimbshme të shikosh imazhet e njerëzve, për këtë arsye unë jam këtu (po protestoj)", tha Marat Dzekevich, i cili kishte vënë një flamur bjellorus në shpinë. "Edhe pse kam jetuar në Shtetet e Bashkuara për 16 vjet, zemra ime është akoma me Bjellorusinë."

Zhanna Charniauskaya, anëtare e organizatës kulturore jofitimprurëse “Bjellorusët në Çikago”, tha se popullit bjellorus i mungojnë të drejtat themelore si liria e fjalës, tubimit dhe e drejta për të protestuar.

Mësuesja e kimisë emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1997 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Ajo jetoi në Uiskonsin me bashkëshortin dhe fëmijët e saj për dy vjet para se të vendosej në periferi të Çikagos.

"Njerëzit janë politikisht të frikësuar", tha ajo. "Nëse njerëzit shprehin një mendim politik (kundër qeverisë) dhe janë pak a shumë një person publik, ata humbasin vendin e tyre të punës dhe futen në burg."

FILE - A protester holds up a map of Belarus with a red heart inside, during an opposition rally challenging official presidential election results, in front of a government building in Minsk, Belarus, Aug. 17, 2020.
FILE - A protester holds up a map of Belarus with a red heart inside, during an opposition rally challenging official presidential election results, in front of a government building in Minsk, Belarus, Aug. 17, 2020.

Siguria e familjeve të tyre në atdhe është një shqetësim i madh për komunitetin bjellorus në Shtetet e Bashkuara. Shumë nga të afërmit e zonjës Charniauskaya, përfshirë vëllain e saj, kunatat dhe nipërit, kanë marrë pjesë në protesta.

Zoti Pivavarau tha se motra e tij në Bjellorusi ka frikë të dalë nga shtëpia.

Nipi i zotit Dzekevich në Bjellorusi po ecte drejt shtëpisë me miqtë e tij kur u arrestua nga policia, u burgos dhe u rrah, edhe pse ai nuk kishte marrë pjesë në protesta.

Marat Dzekevich tha se autoritetet konfiskuan telefonin e nipit të tij, duke ia bërë të pamundur kontaktin me prindërit.

"Deri në mëngjes kur u lirua, askush nuk e dinte se ku ishte, dhe kjo e stresoi shumë familjen time", tha ai. “Brutaliteti i policisë është i pranishëm në të gjithë vendin. Ata thjesht kanë humbur ndjenjën njerëzore”.

Bjellorusët në Çikago së fundmi i dërguan një peticion senatorit amerikan nga Ilinoi, Dick Durbin. Zhana Charniauskaya gjithashtu planifikon të dërgojë një peticion tjetër për senatoren Tammy Duckworth në emër të organizatës “Bjellorusët në Çikago”.

"Ne do të përpiqemi të kontaktojmë çdo përfaqësues për të rritur presionin në mënyrë që Kongresi të ndërmarrë hapa serioze kundër regjimit autoritar të Lukashenkos", tha ajo.

"Shpresoj të kemi forcë të mjaftueshme që protesta të mos shuhet. Prandaj, unë po u dërgoj mesazhe njerëzve tanë në Bjellorusi se ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur këtu për t’ju inkurajuar. Dua që ju ta dini se bota po ndjek me vëmendje situatën dhe po ju ndihmon", tha ajo.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG