Lidhje

Mbështetës të rinj të Presidentit Trump në Kuvendin e Republikanëve 


Some of the items from the delegate gift bag are shown during the first day of the Republican National Convention, in Charlotte, North Carolina, U.S., August 24, 2020. Chris Carlson/Pool via REUTERS
Some of the items from the delegate gift bag are shown during the first day of the Republican National Convention, in Charlotte, North Carolina, U.S., August 24, 2020. Chris Carlson/Pool via REUTERS

Këtë javë Partia Republikane po shpreson të përgatisë terrenin për një përsëritje të fitores së Presidentit Donald Trump më 2016 duke entuziazmuar bazën e partisë dhe duke tërhequr votuesit e pavendosur. Sondazhet e opinionit publik tregojnë se presidenti ka më pak mbështetje se sa kandidati i partisë demokrate, Joe Biden. Në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve në Sharlotë të Karolinës së Veriut, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti bisedoi me disa votues të cilët thonë se ata nuk e mbështetën Presidentin Trump në vitin 2016, por do ta mbështesin atë këtë vit.

Delegatët në Kuvendin Kombëtar Republikan këtë vit mbështetën kandidatin e vetëm të partisë. Por katër vjet më parë kjo nuk ishte aspak e lehtë për zotin Trump.

"Trump ishte një zgjedhje e vështirë për shumë njerëz në shtetin tonë", tha Aimee Winder Newton, delegate republikane nga shteti Juta.

Juta është një nga shtetet më konservatore në Shtetet e Bashkuara.

Mbështetës të rinj të Presidentit Trump në Kuvendin e Republikanëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:36 0:00

Katër vjet më parë, delegatja Aimee Winder Newton mbështeti senatorin nga Florida, Marco Rubio dhe nuk votoi për zotin Trump në zgjedhjet presidenciale.

"Nuk isha e sigurt për kandidaturën e tij. Nuk isha e sigurt se ai vërtet do të bënte ato që thoshte”, tha ajo.

Tani ajo thotë se Presidenti Trump dëshmoi se ajo kishte gabuar.

"Ai nuk ka frikë të merret me çështje të vështira. Shikoni bisedimet e fundit të paqes në Lindjen e Mesme, ky është një shembull i mirë i disa prej gjërave që Presidenti Trump ka trajtuar", shton delegatja republikane.

Delegati tjetër, Oscar Brock është krenar që përfaqësoi shtetin e tij Tenesi këtë vit. Por në vitin 2016, edhe ai mbështeste senatorin Rubio, përpara se të kalonte në anën e Presidentit Trump.

"Trump ishte një zë i ri. Ai ishte shumë më i ndryshëm sesa politikanët e karrierës në dy dekadat e fundit dhe premtoi të bënte diçka të re", tha ai.

Delegati Brock thotë se presidenti solli një rritje të madhe të vendeve të punës dhe një ekonomi të fortë para fillimit të pandemisë. Një sondazh i organizatës kërkimore Pew tregon se ekonomia është çështja kryesore për 80 për qind të votuesve këtë vit.

Brandy Snipes gjithashtu ndryshoi mendim për presidentin Trump. Ajo mbështeti senatorin e Teksasit Ted Cruz në fushatën e vitit 2016. Por më pas, djali i saj Mo, e ftoi atë në një tubim të Presidentit Trump.

"Dëgjova se ai ishte i ndryshëm dhe nuk kishte frikë të shprehte atë që kishte në mendje, dhe pikërisht në atë moment unë thashë se ai njeri do të fitonte", thotë Mo Snipes, nga grupi “Adoleshentët Republikanë” të distriktit të Gastonit

Zonja Snipes thotë se qëndrimi i presidentit ndaj Kinës e bëri që të ndryshojë mendim.

"Bashkëpunimi me një vend të huaj, nga i cili ne mund të përfitojmë, është i logjikshëm. Kjo nuk nënkupton që gjithë mallrat të prodhohen në Amerikë, por për ato që do të prodhohen në një vend tjetër, duhet të ketë një logjikë për ne", thotë delegatja republikane nga Karolina e Veriut, Brandy Snipes.

Votuesit amerikanë do të kenë mundësinë në pak më shumë se dy muaj të vendosin nëse politikat e Presidentit Trump dhe angazhimi i tij për forcimin e ekonomisë do të jenë të mjaftueshme për t’i dhënë atij një mandat të dytë katër vjeçar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG