Marrëveshja midis Izraelit dhe Emirateve u arrit muajin e kaluar, ndërsa ajo me Bahrenin të premten e kaluar. Shumë izraelitë e mirëpritën normalizimin, si një hapa me rëndësi të madh për vendin.
Marrëveshjet shënojnë një arritje diplomatike për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu pas shumë javë kritikash të brendshme lidhur me trajtimin prej tij të pandemisë së koronavirusit dhe ekonomisë në përgjithësi.
"Po pres me mjaft padurim takimin mes të katër vendeve, Izraelit, Shteteve të Bashkuara, Emirateve të Bashkuara dhe Bahreinit, në këtë moment të madh historik për paqen në Uashington DC," tha Kryeministri Netanyahu.
Për shumë izraelitë, marrëveshjet janë gjithashtu të rëndësishme:
"Mendoj se është një nga gjërat më të rëndësishme për Izraelin, veçanërisht për pozitën tonë në pellgun arab. Mendoj se kjo është si një portë për në tregun arab dhe mund t'i japë një shans paqes me të gjitha vendet arabe përreth," thotë banori i Tel Avivit, Zehavit Akerman.
Të tjerë e kritikojnë zotin Netanyahu që ndërmerr këtë udhëtim jashtë vendit në mes të një krize dhe ndërsa vendi përgatitet të fillojë një mbyllje tre-javore të premten për të frenuar përhapjen e koronavirusit pas një vale të dytë rastesh të reja.
"Paqja është gjithmonë diçka e mirë, por Emiratet janë një vend me të cilat gjithsesi kemi patur gjithmonë marrëdhënie të mira. Nuk e kuptoj, përse duhettë shkojmë dhe të nënshkruajmë një traktat paqeje kur jemi duke kaluar një krizë kaq të thellë me koronavirusin në vend. Përparësia kryesore duhet të jetë ajo që po ndodh këtu," thotë banori i Tel Avivit Omer Zuker.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Emiratet e Bashkuara dhe Bahreini i përshëndesin lëvizjet diplomatike si një hap i madh drejt paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, palestinezët i shohin ato si një tradhti.
"Ata i kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin qysh më parë, kanë bërë edhe më parë takime sekrete. Sot po e bëjnë publikisht, në të gjitha platformat e mediave sociale. Tani normalizimi është me Emiratet e Bashkuara dhe me Bahreinin, nesër do të jenë të gjitha vendet e Gjirit, por ne do të vazhdojmë t'u themi atyre se populli palestinez do të qëndrojë i vendosur në tokën e tij," thotë banori i Hebronit, Aref Jaber.
Palestinezët mbajtën të martën protesta kundër dy marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Shumica e vendeve arabe nuk e kanë njohur Izraelin.
Palestinezët tremben se marrëveshjet e reja do të dobësojnë qëndrimin e kahershëm të botës arabe, që kërkon tërheqjen e Izraelit nga tokat e pushtuara dhe krijimin e një shteti palestinez në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve.
Facebook Forum