Lidhje

Shtohen rastet me koronavirus në Maqedoninë e Veriut


Shtohen rastet me koronavirus në Maqedoninë e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Të paktën dy deputetë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut janë të prekur me koronavirus dhe njëri prej tyre është shtruar në spital. Kjo ngre shumë pikëpyetje për funksionimin e parlamentit në këtë periudhë pandemie. Ndërkohë, shifrat e të infektuarve po rriten për çdo ditë dhe autoritetet së shpejti pritet të urdhërojnë masa të reja shtrënguese.

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ismail Jahoski ka rezultuar pozitiv ne testin e koronavirusit, siç ka njoftuar një ditë më parë për publikun shërbimi i parlamentit. Të dielën deputeti Laze Tanavski i Lidhjes Social Demokrate ka njoftuar përmes Facebook-ut për diagnostikimin me këtë virus. Ky i fundit shkruan se testin e kishte bërë me vetëiniciativë për shkak të një udhëtimi që duhej ta bënte.

Ndërsa ligjvënësi Jahoski është shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup për t’u trajtuar dhe nuk ka shumë informata se si si është gjendja e tij, kolegu i tij Tanevski thekson se ndjehet mirë dhe nuk ka asnjë lloj simptome.

Parlamenti u bën thirrje ligjvënësve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat për të mbrojtur veten dhe për të mos vënë në rrezik deputetët e tjerë dhe punonjësit e administratës së parlamentit.

Aktualisht, parlamenti ka ndërprerë aktivitetet, teksa po shikohen mundësitë e mbajtjes së seancave online, por kjo sipas kryetarit Talat Xhaferi është e kushtueshme. Analistët vlerësojnë se gjendja e krijuar mund të zvarrisë shqyrtimin e ligjeve të nevojshme, duke pasur paraysh se shumica parlamentare ka vetëm 62 deputetë nga 120 vendet në parlament.

Shifrat e të prekurve me koronavirus kanë shënuar rekord ditët e fundit dhe autoritetet paralajmërojnë masa të reja shtrënguese. Së fundmi janë marrë vendime për ashpërsimin e masave nëpër restorante dhe kafene, ku organizoheshin koncerte dhe mblidheshin sidomos të rinjë pa maska dhe pa respektuar rregulloret.

Komisioni për Sëmundjet Ngjitëse, një organ pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ka propozuar mbajtjen e detyrueshme të maskave edhe në ambiente të hapura dhe kufizimin e grumbullimit të njerëzve, madje të mos mund të pranohen as më tepër se katër mysafirë në shtëpi. Kjo ka nxitur mjaft kritika në publik. Por, autoritetet thonë se janë të vendosura që, nëse ngriten shifrat e të prekurve me koronavirus, të rikthejnë karantinën dhe kufuzimin e lëvizjes.

Nga ana tjetër, spitalet përsëri kanë filluar të mbushen me pacientë të sëmurë nga COVID-19 dhe disa mjekë e infermiere të pakënaqur me statusin dhe trajtimin e tyre në Klinikën e Sëmundjeve Ngjitëse kanë lëshuar punën për të kaluar në institucione private shëndetësore, një akt që ka ngritur shqetësime tek Ministria e Shëndetësisë por dhe në opinionin e gjerë publik.

Numri i të diagnostikuarve që nga fillimi i pandemisë po afrohet tek 21 mijë, prej të cilëve rreth 3700 janë raste aktive, ndërsa 785 kanë humbur jetën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG