Në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shprehu sot shqetësimin e vet mbi vendimet e fundit të qeverisë për të gjobitur qytetarët pa maska në mjediset publike dhe përfshirjen e këtyre gjobave në faturat e energjisë elektrike.
Ai po ashtu i bëri thirrje shumicës socialiste të rishikojë këtë metodë gjobash, si dhe ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha sot se mbledhja e gjobave nga OSHEE, kompania monopol në furnizimin me energji elektrike po kërcënon të lërë qindra familje pa energji elektrike në prag të dimrit, sepse gjoba për maskën është e kushtëzuar me pagesën e energjisë elektrike të konsumuar.
Zoti Meta tha se kjo masë shkel hapur liritë dhe të drejtat njerëzore dhe e shndërron OSHEE në një instrument policor, që ekzekuton gjoba të paligjshme.
Presidenti Meta i bëri thirrje qeverisë dhe Kuvendit që të rishqyrtojnë këtë akt normativ dhe të gjejnë mjete të tjera për zbatuar rregullat e pandemisë.
Ai tha se protokollet mjekësore dhe këshillat e mjekëve duhen zbatuar me përpikmëri për të mbrojtur jetën dhe shëndetin pubik, por kjo punë nuk u duhet lënë në dorë burokratëve që marrin masa për të trembur qytetarët dhe për të fshehur paaftësinë e tyre në menaxhimin e pandemisë shqiptare.
“Nuk është zgjidhje t’i lësh njerëzit pa drita. Nuk është zgjidhje që në fund të muajit, kur të mos kenë më mundësi të paguajnë dot dy herë gjobat e përfshira në faturën e OSHEE-së, t’ua presësh dritat dhe t’i shantazhosh me burg qytetarët. OSHEE ka për detyrë të furnizojë me energji në mënyrë të pandërprerë, dhe jo të mbledhë gjobat për maskat” - tha zoti Meta.
Problemi tjetër, që zuri vend kryesor në konferencën e presidentit ishin ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor nga parlamenti.
Pikëpyetjet e shumta mbi fatin e zgjedhjeve të ardhshme janë problem më i madh që ka Shqipëria aktualisht, si dhe ndryshimet e njënashme të rregullave zgjedhore nga maxhoranca, tha zoti Meta, sepse lidhet ngushtë edhe me dëmtimet e rënda të institucioneve demokratike dhe shkeljen e të drejtave njerëzore, për të cilat BE nuk do ta falë Tiranën zyrtare.
“Mungesa e legjitimitetit të kësaj qeverie të dalë nga zgjedhjet e fundit të standarteve të dosjeve të Shijakut dhe të Dibrës, kanë bërë që të kemi kaq shumë kushte për vite të tëra. Ndërkohë, shkelja brutale e marrvëveshjes së 5 qershorit është një penalizim absolut për të ardhmen europiane të vendit dhe një provokim i rëndë i paqes sociale dhe qëndrueshmërisë në vend” - tha zoti Meta.
Qeveria Rama vendosi një javë më parë mbajjtjen e maskave me detyrim në mjedise të hapura publike në përpjekje për të frenuar përhaphjen e Virusit Covid-19, ndërsa infeksionet po shtohen me shpejtësi. Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka deklaruar se shumica socialiste do të ri-miratojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor menjëherë sapo presidenti t’I kthejë pas ato.
Reforma zgjedhore është tema kryesore e qarqeve politike shqiptare gjatë gjithë këtij viti të pandemisë.
Këshilli Politik, e vetmja tryezë ku shumica takohej me opozitën duket se ka dalë jashtë funksionit me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, kur shumica i mbylli me forcën e kartonave gjithë debatet për reformën zgjedhore, megjithë thirrjet e faktorit ndërkombëtar për gjithëpërfshirje dhe mirëkuptim.
Facebook Forum