Lidhje

Shtohen rastet me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut


Shtohen rastet me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:10 0:00

Numri i personave të diagnostikuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut po vjen duke u rritur çdo ditë, duke ngritur shetësime si në opinionin publik por dhe në blloqet politike në vend.

Autoritetet shëndetësore nuk e përjashtojnë mundësinë e vendosjes së masave më të ashpra duke paralajmëruar edhe izolimin e plotë apo orën policore.

Të dhënat e fundit zyrtare flasin për mbi 900 persona të prekur me koronavirus brenda ditës së fundit, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 982 që nga shpërthimi i pandemisë.

Spitalet e specializuara në Shkup pothuajse nuk kanë më shtretër të lirë dhe një spital fushor i hapur para pak ditësh ngjitur me Klinikën e Sëmundjeve Infektive po vjen duke u mbushur me pacientë me COVID-19. Edhe kapacitetet nëpër spitalet e qyteteve të tjera janë po ashtu në këtë gjendje.

Rreth 80 përqind e rasteve të vdekjeve janë persona me sëmundje bashkë-shoqërsuese, sipas autoriteteve, teksa mosha ndërmjet 20 dhe 40 vjeç po preket më së shumti nga virusi gjatë javëve të fundit.

Parlamenti miratoi para dy ditësh masa të reja brenda ligjit për mbrojtjen shëndetësore të popullatës, që detyron banorët të mbajnë maska fytyre edhe në ambiente të hapura, përveç për fëmijët nën moshën 6 vjeçe; pastaj ua shton autorizimin inspektorateve, veçanërisht në aspektin e ndëshkimeve dhe kontrollit të lokaleve gastronomike për të parë mbarëvajten e protokolleve. Ekspertët thonë se rezultati i masave shtrënguese do të shihet pas 2-3 javësh.

Por, opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE po u bën sfidë këtyre masave duke sulmuar qeverinë dhe pushtetin se “po shkel të drejtat e qytetarëve”.

VMRO-ja thotë se pushteti i Kryeministrit Zoran Zaev ka bërë që gjendja me pandeminë e koronavirusit të përkeqësohet edhe më tepër.

“Tashmë jemi shteti me rekordin më të zi për shkallën e të sëmurëve dhe vdekjeve në Evropë”, thotë partia, e cila kërkon dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë dhe ndryshime në Komisionin Shtetëror për Sëmundjet Infektive.

VMRO-ja thotë se janë 650 fëmijë të kopshteve dhe 109 edukatorë që ndodhen në izolim, si dhe 33 fëmijë të moshës parashkollore që rezultojnë të prekur nga COVID-19.

Autoritetet kanë futur në përdorim ilaçin e njohur si Remdesivir për trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi. Ndërkaq, NATO dërgoi të premten ndihma shëndetësore në Shkup, përfshirë 60 respiratorë për çfarë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se do te përdoren më së shumti nëpër autoambulanca.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG