Lidhje

Ekspertët amerikanë: Zhvillimet e fundit në Kosovë, nuk ndryshojnë historinë e konfliktit


Pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi dhe shkuarjes së tij në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dy ekspertë amerikanë thonë se përgegjesia e mundshme individuale nuk duhet ngatërruar me pozicionin e Kosovës dhe me historinë e palëve në konflikt. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me profesorët David Phillips dhe Paul Williams të cilët folën gjithashtu për implikimet që mund të ketë ky zhvillim në politikën e brendshme dhe në ecurinë e dialogut me Serbinë.

Ekspertët amerikanë: Zhvillimet e fundit në Kosovë, nuk ndryshojnë historinë e konfliktit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:53 0:00

Si Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Uashington Paul Williams ashtu edhe Profesori i të Drejtave të Njeriut, David Phillips në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, thonë se Presidenti Thaçi veproi siç duhet që dha dorëheqjen dhe shkoi të përballej me akuzat në Hagë, duke pasur një shans për të mbrojtur veten nga këto akuza.

“Është e rëndësishme që Kosova ta tejkalojë këtë moment. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë një gjë të tillë është që Presidenti Thaçi dhe të tjerët të shkojnë dhe të përballen me akuzuesit e tyre dhe të tregojnë anën e tyre të historisë”, thotë profesor Phillips.

Por ai shton se nuk duhet harruar se bëhej fjalë për një luftë kundër shtypjes serbe.

“Këta individë po gjykohen, por pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe lufta fisnike e UÇK-së duhet të vlerësohet. Thjesht duhet të dimë se çfarë ka ndodhur gjatë atyre viteve dhe të ecim përpara”.

Prof. David Phillips
Prof. David Phillips

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi dhe shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte “të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes", gjatë periudhës 1998-1999.

Të gjithë këta, ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen tashmë në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Posaçme në Hagë.

Prof. Williams thotë se nuk ka dyshim që ata që janë përgjegjës për krime mizore duhet të vihen para përgjegjësisë, por nuk duhet të kesh një gjykatë që shikon vetëm njërën anë.

“Në momentin që fillon të krijosh gjykata që përqendrohen vetëm tek një palë ose vetëm tek disa krime dhe e bën këtë pasi ka patur një gjykatë për të njëjtin qëllim që kishte funksionuar për dekada, që ishte përqëndruar tek të gjitha palët, atëherë fillon të shtrembërosh drejtësinë, të shtrembërosh ndikimin e drejtësisë, kahjen e historisë, katharsisin e viktimave”, thotë ai.

Kjo sipas tij shkakton një rrezik tjetër, atë të barazimit moral mes shkaktarëve dhe viktimave në konflikt dhe thotë se i takon komunitetit ndërkombëtar, duke qenë se këmbënguli për ngritjen e kësaj gjykate, që të thotë se këto gjyqe nuk e ndryshojnë historinë e asaj që ndodhi në Kosovë.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon shumë qartë këtë, do të jemi në gjendje të shohim një përparim në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe me bashkësinë ndërkombëtare”.

Prof. Phillips mendon se vullneti i mirë i ndërkombëtarëve mund të tregohet me hapa konkrete.

“Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të bëjë liberalizimin e vizave, të rishikohen 33 marrëveshjet që janë arritur tashmë dhe që të ketë kompensim për personat e zhdukur dhe të kërkohet përgjegjësi për 1 mijë e treqind shqiptarët e Kosovës që janë zhdukur”.

Derisa të ndodhë kjo, thotë ai këto bisedimet në Bruksel duken të pakuptimta.

“Ndërmjetësit duhet të demonstrojnë se janë të gatshëm të ecin përpara, se do të ketë përparim të dukshëm. Derisa të ndodhë kjo veçanërisht në rrethanat aktuale me këto aktakuza, me të vërtetë nuk ia vlen të paraqitesh, të ulesh në tavolinë dhe të mos flasësh për asgjë”.

Përsa i takon pozitës politike të Kosovës, prof. Williams nuk mendon se zhvillimet lidhur me gjykatën do të ndryshojnë shumë.

“Jam mjaft i bindur se pasojat brenda Kosovës do të jenë minimale. Kosova është një vend i pavarur. Ajo ka zhvilluar tradita demokratike në 20 vitet e fundit. Dhe unë mendoj se populli i Kosovës ndërsa mund të ndihet i ofenduar ose i demoralizuar nga kjo, e pranon që në botën e sotme ka gjykata ndërkombëtare dhe se ato po përpiqen të mbajnë përgjegjës ata që kanë kryer krime mizore”.

Por prof. Phillips mendon se pa dyshim që ky zhvillim do të ketë pasoja politike, përfshirë faktin që duhet bërë një plan vazhdimësie qeverisjeje. Duke pasur parasysh implikimin e figurave drejtuese në këto procese gjyqësore, ai mendon se duhet ndryshim.

“Për të pasur rimëkëmbje në shoqëri dhe që Kosova të bëhet vend më normal, me një njohje më të madhe ndërkombëtare, duhet të shfaqen udhëheqës të rinj”.

Një gjë është e sigurt, sipas dy ekspertëve. Dërgimi i zotit Thaçi dhe figurave të tjera në Hagë për t’u përballur me akuzat, ka ndryshuar dinamikën si brenda Kosovës, ashtu edhe përsa i takon procesit të dialogut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG