Lidhje

Shqipëri: Dokumentarë me mesazhe të forta sociale


Në Shqipëri, megjithë pengesat e pandemisë, 60 studentë të gazetarisë në Universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit prodhuan disa filma me mesazhe për drejtësinë sociale në komunitete të ndryshme.

Shqipëri: Studentët e gazetarisë, filma me mesazhe për drejtësi sociale
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:03 0:00

Ata u trajnuan nga kompania Rana Labs, me mbështetjen e USAID dhe ambasadës britanike.

Në filmat e tyre ata hedhin dritë mbi padrejtësitë sociale, me të cilat përballen qytetarët shqiptarë, duke bërë thirrje për një shoqëri të drejtë.

Miles Sedgwick është instruktor në kompaninë e produksionit Rana Labs dhe aktualisht banon në Uganda.

Kompania e tij trajnon studentë kudo në botë si të prodhojnë filma të shkurtër ose dokumentarë.

Të njëjtën gjë bëri edhe në Shqipëri, për të cilën thotë se më parë nuk kishte dëgjuar shumë.

“Është një vend i bukur me ushqim të mrekullueshëm, me kulturë, njerëz dhe histori të shkëlqyer. Ishte një e papritur për mua” - thotë Miles.

Ai foli me Zërin e Amerikës me Skype nga Uganda, ku aktualisht punon.

“Ne u takuam me 60 studentë nga Shkodra dhe Elbasani, mësuam për problemet e shoqërisë shqiptare dhe u thamë atyre të dilnin me ide për dokumentarë, ku të tregonin se çfarë ishte drejtësia sociale për ta. Sinqerisht, ishte një përvojë e jashtëzakonshme - thotë Miles. - Ata dolën me disa ide të shkëlqyera për filmat e tyre dhe i realizuan me sukses”.

Një prej filmave u krijua nga 6 studentë mbi vështirësitë e komunitetit rom gjatë pandemisë. Por studentët patën edhe shumë ide të reja.

“Më kujtohet, isha një ditë në Shkodër, kur një student më tha: Të rinjtë në Shqipëri po e harrojnë shpejt se çfarë ishte e kaluara komuniste dhe ndikimin që ajo ka patur në jetën e njerëzve” - thotë Miles.

Të tjerë dokumentarë të studentëve janë mbi paragjykimin e nënave të vetme, që u duhet të rrisin vetë fëmijën.

Po ashtu vdekjet nga aksidentet rrugore, papunësia dhe emigrimi, përballimi i sëmundjeve kronike, zhdukja e profesioneve të vjetra, apo ruajtja e traditës përballë teknologjive moderne.

Të gjithë këta filma të realizuar për 10 muaj nga studentë të gazetarisë në universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit, janë përfshirë në projektin “Përtej Gardheve2’- si pjesë e projektit të USAID “Drejtësi për të Gjithë” në Shqipëri, dhe mbështetur nga ambasada britanike në Tiranë.

“Projekti Përtej Gardheve u ideua fillimisht nga ish pedagogu i ndjerë, Fatos Baxhaku, me reportazhe. Libri me ato tekste u bë si gur themeli për projektin “Përtej Gardheve 2”. Vërtet kapërcyem të gjitha gardhet dhe pengesat qysh nga marsi deri sot, si nga pandemia edhe nga izolimi dhe pengesa të tjera. Studentët na dhanë një energji të jashtëzakonshme, që do të mbahet mend gjatë” - thotë Ada Heqimi, koordinatore e mediave në projektin “Justice for All - USAID”.

“Shumica e studentëve përdorin Instagramin, prandaj ata donin të mësonin se si të krijonin vetë filma të shkurtër që të mund t’i ndanin në Instagram me miqtë dhe me njerëzit e familjes” - thotë Miles.

Largimi i të rinjve nga Shqipëria është ndër problemet e mëdha që I dhemb shoqërisë shqiptare.

“Ne flisnim shumë për këtë. Një nga filmat e studentëve quhet ‘Për ku?’ Një i ri në film tregon se si mbaroi shkollën e lartë dhe për dy-tre vjet me radhë aplikonte por nuk gjente dot punë. Punoi në ndërtim, pastaj në një kafene dhe tani do të donte të ikte për të gjetur punë jashtë. Disa prej studentëve më panë në sy dhe më thanë: Kështu është edhe jeta ime. Pikërisht kjo po ndodh” - thotë Miles.

“Të dy universitetet nuk kishin laboratorë dhe pajisje filmimi, ndaj projekti u dha studentëve shprehi praktike në teknikat më të reja të raportimit, si dhe u krijoi një hapësirë për të shprehur shqetësimet e tyre për veten dhe komunitetet ku jetojnë” - thotë Emiljano Kaziaj, drejtuesi i ekipit të medias në “Justice for All - USAID”.

Midis dokumentarëve të studentëve është e vështirë të zgjedhësh, ato kanë nisur të mbledhin votat e para.

Njerëzit mund t’i shohin në internet dhe madje mund të votojnë për secilin prej tyre, në ranalabs.com/festival.

Nga mesi i janarit do të organizohet një festival filmi online, ku do të shpallen rezultatet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG