Lidhje

Takim virtual mes ambasadores amerikane në OKB dhe presidentes së Tajvanit


Ambasadorja amerikane në OKB, Kelly Craft
Ambasadorja amerikane në OKB, Kelly Craft

Ambasadorja amerikane në OKB, Kelly Craft mbajti një takim virtual me Presidenten e Tajvanit Tsai Ing-wen të mërkurën mbrëma, pasi udhëtimi i saj këtë javë u anulua. Lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit janë forcuar gjatë administrates së Presidentit Trump dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo këtë javë hoqi kufizimet mbi kontaktet midis Shteteve te Bashkuara dhe Taiwanit.Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit Nike Ching sjellë më shumë hollësi mbi qasjen që mund të ketë administrata e re amerikane ndaj Tajvanit.

Takim virtual mes ambasadores amerikane në OKB dhe presidentes së Tajvanit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Takimi virtual i ambasadores amerikane në OKB, Kelly Craft me Presidenten e Tajvanit Tsai Ing-wen shihet si një veprim për të demonstruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për demokracinë e vetë-qeverisur, ndërsa kërkon lidhje më të ngushta në fushat e shëndetësisë dhe teknologjisë.

"Unë gjithashtu shfrytëzoj këtë rast për t'ju falënderuar për mbështetjen e vendosur për pjesëmarrjen e Tajvanit në aktivitetet ndërkombëtare dhe për përpjekjet tuaja në thellimin e marrëdhënieve mes Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara. Faleminderit që flisni gjithmonë për Tajvanin në momentet më të rëndësishme", tha presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen.

Kina është zotuar të ndëshkojë Shtetet e Bashkuara për përpjekjet e saj për thellimin e marrëdhënieve me Tajvanin, ndërsa Pekini e ka parë prej kohësh Tajvanin si pjesë të Kinës.

"Kina do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri interesat e saj sovrane, territoriale dhe të sigurisë. Disa politikanë amerikanë do të paguajnë një çmim të rëndë për fjalët dhe veprimet e tyre të gabuara", tha zëdhënësi i ministrisë së jashmte kineze, Zhao Lijian.

Për shumë vite, shumicës së zyrtarëve të lartë amerikanë u është ndaluar udhëtimi në Tajvan për të mos zemëruar Pekinin. Departamenti i Shtetit kohët e fundit i hoqi këto kufizime. Ekspertët thonë se kjo i jep administratës së ardhshme të Presidentit të zgjedhur Joe Biden disa mundësi të reja.

“Unë mendoj se administrata Biden gjithsesi do të bënte një rishqyrtim të kësaj çështjeje. Por me këtë vendim tani, administrata e zotit Biden mund të shikojë për mënyra të reja të bashkëveprimit me Tajvanin, duke përfshirë lejimin e takimeve të ambasadorit de fakto të Tajvanit në Shtetet e Bashkuara me zyrtarët amerikanë në Uashington në mënyrë publike, përfshirë zyrtarët e lartë të kabinetit”, tha Derek Grossman, ekspert në korporatën Rand.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit janë bazuar në Aktin e Marrëdhënieve me Tajvanin, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara i japin Tajvanit pajisje mbrojtëse. Analistë të tjerë thonë se Uashingtoni duhet të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e Taipeit për të ruajtur stabilitetin në ngushticën e Tajvanit mes lëvizjeve ushtarake të Kinës në rajon.

“Një nga gjërat që administrata Biden mund të bëjë është që të vazhdojë të ndryshojë politikën tonë në lidhje me trajnimet. Përveç shitjes së armëve, marrëdhënia ushtarake mes Shtetet të Bashkuara duhet të jetë e fortë edhe në aspektin e trajnimit. Ne duhet të bëjmë më të mirën për t’u siguruar që të ketë stabilitet në rajonin e ngushticës së Tajvanit dhe më gjërë", thotë Eric Sayers nga Instituti “American Enterprise”.

Tajvani dhe Kina kanë qeverisje të ndryshme që nga ndarja pas luftës civile të vitit 1949. Pekini vazhdon të pretendojë sovranitetin tij mbi Tajvanin, një demokraci e vetë-qeverisur.

Shtetet e Bashkuara thonë se politika “Një Kinë” është "e veçantë" nga parimi “Një Kinë” i Pekinit dhe se Uashingtoni nuk mbanë qëndrim për këtë çështje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG