Në Shqipëri, Koronavirusi po gjen dita ditës një përhapje gjithnjë e më të madhe. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë për 24 orët e fundit, dëshmojnë një përkeqësim të situatës, me një rritje të fortë të rasteve të reja dhe shifra të larta të viktimave.
Nga 4562 testime të kryera, janë konfirmuar 1239 raste, një tjetër rekord ditor që nga nisja e pandemisë. Ndonëse dhe testimet janë rritur, raporti me numrin e të prekurve, ose siç njihet ndryshe pozitiviteti, dëshmon një situatë edhe më të rënduar. Pozitiviteti (treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet) u ngjit në 27.1 përqind, nga 25.8 përqind që ishte mesatarja e javës së shkuar.
Nga 61 bashki që ka vendi, rastet e reja u konfirmuan në 53 prej tyre: 553 raste në Tiranë, 84 raste në Durrës, 61 raste në Elbasan, 58 raste në Lushnje, 39 raste në Kavajë, 36 raste në Shkodër dhe në Fier, 32 raste në Sarandë, 30 raste në Lezhë, 22 raste në Krujë, 21 raste në Vlorë dhe Delvinë, 18 raste në Kurbin, 16 raste në Gjirokastër, 15 raste në Mirditë, Librazhd dhe Malësi e Madhe, 14 raste në Kukës, 13 raste në Berat, Pogradec, 12 raste në Berat, 11 raste në Ura- Vajgurore, 8 raste në Kamëz, Përmet, Patos, 6 raste në Mallakastër, Gramsh, 5 raste në Vau i Dejës, Kuçovë, 4 raste në Tepelenë, Belsh, Dibër, Peqin, Skrapar, Vorë, 3 raste në Memaliaj, Has, 2 raste në Devoll, Pukë, Tropojë, Mat, Divjakë, Himarë, Kolonjë, Shijak, Cerrik, Poliçan, Këlcyrë, Libohovë, dhe 1 rast në Selenicë, Roskovec, Maliq, Konispol.
Ministria njoftoi gjithashtu për një numër të lartë vdekjesh, 16 persona të cilët humbën jetën në spitalet COVID: 7 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Saranda, 1 qytetar nga Kruja, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Korça, të moshave 58 -84 vjeç. Ky është numri më i lartë i vdekjeve që nga 8 Dhjetori i vitit të shkuar.
Edhe situata në spitale po ngarkohet dita ditës, me nje numër të lartë të atyre që janë në gjendje kritike. Deri pasditen e së martës rezultonin të shtruar 471 pacientë, nga të cilët 21 në terapi intensive dhe 11 të tjerë të intubuar.
Qeveria paralajmëroi dje për një ashpërim të mundshëm të kufizimeve, por dhe përforcim të kontrolleve për zbatimin e rregullave për parandalimin e pandemisë. Nesër pritet që Komiteti Teknik i Ekspertëve të bëjë të ditur masat e reja që do të vihen në jetë.
Facebook Forum