Lidhje

Shqipëri: Dhuna ndaj grave, aplikacioni "GjejZa" lehtëson denoncimet


Në Shqipëri, aplikacioni “GjejZa” po bëhet një mjet përherë e më i fuqishëm në përpjekjet për të frenuar dhunën ndaj grave dhe vajzave.

Tre gjimnazistet shqiptare, pjesëtare të grupit D3Coders dhe krijuese të aplikacionit, po e përmirësojnë atë vazhdimisht, për ta dërguar sa më lehtë tek sa më shumë gra e vajza në fshat dhe në qytet.

Shqipëri: Dhuna ndaj grave, aplikacioni "GjejZa" lehtëson denoncimet
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

Aplikacioni “GjejZa” u krijua 20 muaj më parë aplikacionin për të ndihmuar gratë në denoncimin e dhunës me bazë gjinore.

Dhuna ndaj grave dhe vazjave është një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare.

Numri i denoncimeve për dhunë po rritet vazhdimisht, edhe falë lehtësive të teknologjisë digjitale.

Jonada Shukarasi thotë se 3 shoqet qysh në fillim ishin “shumë të qarta se aftësitë e tyre në teknologji duhej t’i përdornin për të ndihmuar komunitetin në një prej vështirësive më të mëdha që hasnin përditë, dhe menjëherë zgjodhën temën e dhunës ndaj grave”.

Vajzat e kuptuan shpejt se nevoja e komunitetit për këtë aplikacion ishte shumë e madhe, se nuk ishte fjala thjesht për krijimin e 3 gjimnazisteve në kohën e lirë, por përmes lehtësive të teknologjisë duhej ndihmuar një numër shumë i madh grash e vajzash që dhunohen në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Dea Rozhani thotë se “krahas një numri të madh shkarkimesh nga interneti, aplikacioni "GjejZa" jep edhe një ndihmë të padukshme shumë herë më të madhe, që mund të shihet tek telefonatat autoriteteve policore e civile të vendit si dhe drejt qendrave të mbrojtjes sociale”.

Skuadra me tre vajzat nga Shqipëria fitoi vendin e parë në konkursin e organizatës “Technovation Challenge” në San Francisko të Kalifornisë në gushtin e 2019 për ndihmën ndaj komunitetit përmes teknologjisë.

Ishte hera e parë që një skuadër nga Shqipëria arrinte kaq lart, të shkonte në finale dhe të marrte vendin e parë.

Ndërsa prapa aplikacionit të tre vajzave të talentuara nisën të kërkonin zgjidhje dhe të ngrinin zërin qindra gra e vazja të dhunuara.

“Shumë gra e vajza nuk ishin të vetëdijshme se gjendeshin nën presionin e dhunës, ndaj ato duheshin nxjerrë nga bashkëjetesa me dhunën, u duhej folur për të drejtat njerëzore dhe jetën dinjitoze, ndërsa telefonata denoncuese është akti i fundit i një procesi të gjatë ndërgjegjësues” - thotë Arla Hoxha pjesëtarja tjetër e grupit D3Coders.

Tek aplikacioni Gjejza gjenden një seri numrash, që ato mund të telefonojnë kur dhunohen si dhe këshilla për të dalë nga situata të vështira.

Nëntorin e kaluar u publikua edhe "GjejZa light", një version më i lehtë dhe më i thjeshtë i "GjejZa-s mëmë, i cili përdoret offline dhe ka funksionet bazë të aplikacionit kryesor.

“Gjimnazistet krijuese të “Gjejza-s” mbështeten në veprimtarinë e tyre nga Këndi Amerikan në Tiranë, një platformë e Ambasadës Amerikane, me degë në kryeqytet, Vlorë dhe Kukës, ku grupe të rinjsh po mbështeten për të krijuar aplikacione në ndihmë të komunitetit” - thotë Matilda Vangjeli, punonjëse e ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri.

Sociologët thonë se ende nuk dihen përmasat e vërteta të dhunës ndaj grave, sepse shumë prej tyre e kanë pjesë të jetës dhe me vite e fshehin atë nga frika ose për të mbrojtur fëmijët, apo për të shmangur divorcet, por kjo e përshkallëzon dhunën.

Ata pohojnë se fakti që denoncimet janë shtuar, tregon se dhuna ndaj grave ekziston gjerësisht dhe se ato po ndërgjegjësohen përherë e më shumë për ta denoncuar atë dhe për të kërkuar të drejtat e tyre në shoqëri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG