60 vjeçari Arben Galica është njëri prej qindra përsonave me aftësi të kufizuara në Shkodër, i cili prej më shumë se një viti po përballet me pasojat e pandemisë COVID 19. Ai jeton i vetëm në një nga lagjet e qytetit dhe kjo ja ka vështirësuar edhe më shumë jetën në këtë periudhë të pandemisë.
“Nga pandemia, me thanë të drejtën, ne jemi të friksum sepse jemi invalidë. Po ndigjojmë nëpër televizora gjithëfarë lajmesh edhe njerëz vdesin përditë. Jemi invalida e jetojmë vetëm”.
Organizata “The door” i ka dhuruar Arbenit një motor me bateri për përsonat me aftësi të kufizuara, që ja ka lehtësuar në një farë mënyre jetesën në këtë periudhë të vështirë të pandemisë.
“Vështirësi kena, por unë e kam një motor që m’a ka dhënë shoqata dhe, me pasë problem, kudo që kam nevojë me shku, shkoj me të dhe nuk më ndalojnë. Në çdo zyrë që unë shkoj futem me motor”
Bahri Arrçi është një tjetër përson me aftësi të kufizuara në qytetin e Shkodrës që jeton i vetmuar. Tre vite më parë ai pësoi një aksident të papritur, që e la invalid në një karrige me rrota. Tani, me shumë vështirësi, ai lëviz në një motor me bateri, të dhuruar nga organizata “The door”. Por ai thotë se pandemia ja ka vështirësuar edhe më shumë jetën pasi është rritur kostoja e jetesës si dhe është vështirësuar marrja e shërbimeve shëndetësore për përsonat me aftësi të kufizuara.
“Vështirësi ka se nuk mundem me dalë askund pa motor. 105 mijë lekë të vjetra e kam kempin. I vogël asht boll, por po mos me e pas atë çfarë me hangër?”
Prej vitesh, organizata “The door” mbështet përsonat me aftësi të kufizuara jo vetëm në Shkodër. Drejtuesi i saj, Kastriot Faci, thotë se, në veçanti, periudha e pandemisë ka ndikuar më së shumti tek përsonat e kësaj kategorie, një pjesë e të cilëve jetojnë të vetmuar.
“Si të gjithë njerëzit edhe përsonat me aftësi ndryshe kalojnë kohë të vështira pasi pasiguria për të ardhmen është ajo që i godet. Duke jetu të vetëm, duke marrë në çdo kohë informacion rreth pandemisë, grumbullojnë njëfarë stresi dhe ngarkese negative”.
Prej vitit 2004, organizata “The door” ka mbështetur me mjete lëvizëse pjesën më të madhe të përsonave me aftësi të kufizuara në Shkodër, por periudha e pandemisë COVID 19 ka nxjerrë në pah edhe disa nevoja të veçanta për këtë kategori të njerëzve në nevojë.
“Në periudhën e pandemisë është shtuar shumë numri i kërkesave për karrocat e tualetit apo për karrocat e thjeshta. Së fundmi, kemi shpërndarë edhe maska për përsonat që levizin në qytet me motora dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të kemi mundësi dhe sa të vazhdojë pandemia”.
Në Shqipëri më shumë se 142 mijë përsona, ose 4.8 përqind e popullsisë së vendit, janë me aftësi të kufizuara. Nga këta, rreth 74 mijë përsona regjistrohen si invalidë të punës.
Facebook Forum