Lidhje

Prodhimi i produkteve prej betoni dhe ndikimi i tij mbi klimën 


Presidenti Joe Biden ka njoftuar një propozim për përmirësimin e infrastrukturës me vlerë 2.3 trilionë dollarë si një mënyrë për të rritur ekonominë, për të krijuar vende pune dhe për të luftuar ndryshimin e klimës. Por betoni i përdorur për ndërtimin e rrugëve, urave dhe objekteve të tjera të infrastrukturë është një nga burimet më të mëdha të emetimit të gazeve serrë në të gjithë botën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona i hedh një vështrim përpjekjeve për të lehtësuar ndikimin e rëndë të materialeve prej betoni mbi klimën.

Prodhimi i produkteve prej betoni dhe ndikimi i tij mbi klimën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:15 0:00

Këto nuk janë blloqe betoni të zakonshme. Ato prodhohen nga kompania CarbonBuilt me një përbërje të veçantë dhe thahen në një furrë të veçantë. Gaurav Sant është themelues i kompanisë CarbonBuilt.

"Ajo që i bën ato të ndryshme nga furrat shtëpiake është se ne i mbushim ato me dioksid karboni në formën e gazit. Mendoni për emetimet nga tymi i një termocentrali. Atë fusim në furrë. Dhe ato (blloqet) dalin në fund nga furra të mbushur me dioksid karboni", i tha ai Zërit të Amerikës.

Ky dioksid karboni është i izoluar përgjithmonë brenda blloqeve. Kjo është e rëndësishme, sepse prodhimi i betonit gjeneron sasi të madhe të dioksidit të karbonit.

Betoni është një përzierje e gurit dhe rërës, e ngjitur së bashku me çimento. Prodhimi i çimentos përfshin djegien e gurit gëlqeror në temperaturë prej 1500 gradë Celsius. Flaka krijon dioksid karboni, por edhe vetë guri gëlqeror i nxehtë çliron sasi më të mëdha të dioksidit të karbonit.

Prodhimi i një ton betoni gjeneron një ton dioksid karboni.

Kërkesat për produkte betoni po rriten nga shtimi i popullsisë, thotë Drejtori i Iniciativës Globale të Dioksidit të Karbonit në Universitetin e Miçiganit, Volker Sick.

"Do të jetë problem për ne, nëse nuk gjejmë mënyra më miqësore ndaj mjedisit për të prodhuar beton", thotë ai.

Një mënyrë që ka më pak ndikim negativ mbi klimën është ajo e përdorur nga CarbonBuilt dhe disa kompani të tjera që kanë modifikuar proceset e prodhimit të çimentos duke përdorur dioksid karboni. Kjo luan një rol më të madh sesa thjesht mbajtja e dioksidit të karbonit jashtë atmosferës, thotë Presidentja e kompanisë CarbonCure, Jennifer Wagner.

"Dioksidi i karbonit gjithashtu vepron si një përforcues i betonit. Pra, duke i shtuar dioksidin e karbonit, ata mund të arrijnë rezistencën e dëshiruar me më pak çimento dhe çimentoja është përbërësi me sasi më të madhe karboni i produkteve prej betoni", thotë ajo.

Më pak çimento nënkupton më pak dioksid karboni, por edhe më shumë kursim parash. Kjo mund të ndihmojë në fitimin e klientëve, thotë zonja Wagner.

"Të gjithë duan të ndërtojnë gjëra më miqësore ndaj mjedisit. Por ata nuk duan të paguajnë më shumë", thotë ajo.

Procesi mund të ulë emetimet e karbonit dhe në disa raste e përgjysmon atë.

Kompanitë CarbonBuilt dhe CarbonCure kohët e fundit fituan çmimin Carbon XPRIZE për përdorimin e dioksidit të karbonit në produkte të gatshme për tregun. Ky është një fillim i mirë, thotë profesor Volker Sick.

"Unë mendoj se kjo ka treguar potencialin që ekziston. Nuk është ende gati të zbatohet kudo tani. Ka nevojë për më shumë përmirësime", thotë ai.

"Tani për tani rreth 300 impiante betoni në të gjithë botën po përdorin këtë teknologji çdo ditë. Por ekzistojnë rreth 100,000 impiante betoni, kështu që ky është ende një hap i vogël", thotë presidentja e kompanisë CarbonCure, Jennifer Wagner.

Teknologjia ka filluar të përhapet. Një kompani tjetër, Solidia, po shet pllaka betoni të prodhuara përmes një procesi të ngjashëm.

Por betoni është materiali më i bollshëm i prodhuar nga njeriu në tokë, kështu që duhet një rrugë e gjatë për të lehtësuar ndikimin e tij të rëndë mbi klimën.

XS
SM
MD
LG