Lidhje

Diplomacia italiane inkurajon bisedimet Kosovë-Serbi


Diplomacia italiane inkurajon bisedimet Kosovë-Serbi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Ministri i punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio u bëri thirrje të martën Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë bisedimet në një frymë të hapur për të arritur rezultate pozitive nga ky proces.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, ku po takohet me udhëheqësit e intitucioneve. Zoti Di Maio që erdhi në Kosovë nga vizita në Serbi tha se mbështetja euro-atlantike për bisedimet është një mundësi e mirë për Kosovën dhe Serbinë.

“Lehtësimi nga Bashkimi Evropian dhe mbështetja e fortë nga Shtetet e Bashkuara janë një mundësi e madhe historike për dy vendet. Kosova nuk duhet të ketë frikë nga asgjë, bisedimet përkundrazi do të shërbej vetëm në përforcimin statusit të saj në nivel ndërkombëtar”, tha ministri i jashtëm Italian, duke bërë thirrje që vendet e Ballkanit Perëndimor të punojnë së bashku kundër barrierave dhe të arrihet një pajtim në rajon.

Diplomatët perëndimor janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve me shpresë për një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, gjë që do të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet, që aspirojnë integrimet evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan javën e kaluar për herë të parë në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave vendeve por pa asnjë rezultat.

Duke raportuar për bisedimet me Kosovën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u tha sot deputetëve të parlamentit serb se Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën.

“Mos u gëzoni me konfliktin e ngrirë, për fat të keq kam frikë se ai do të mbetet ashtu, frikësohem”, tha ai duke nënvizuar se një marrëveshje kompromisi është e vetmja zgjidhje, ndonëse nuk tha se cili mund të jetë ai.

“Ajo që është problem, më i madhi që e shoh sot si president i Serbisë është se unë nuk shoh zgjidhje, nuk e shoh se si do të dukej kjo zgjidhe e kompromisit dhe nuk shoh qëllim nga pala tjetër për diskutim”, tha ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj. Por, kërkon nga Kosova që të zbatoj marrëveshjet e arritura në Bruksel posaçërisht atë për themelimin e Asociacionit të komuanve me shumicë serbe.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hedhur poshtë çdo mundësi që të krijohet një asociacion një etnik në Kosovë. Kryeministri Kurti nesër pritet të takohet me presidentin francez, Emanuel Macron në Paris, në një përpjekje për të shtyrë përpara arritjen e një marrëveshjeve normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bisedimet ndërmjet të cilëve pritet të vazhdojnë në fund të muajit korrik.

XS
SM
MD
LG