Lidhje

Sa i rrezikshëm është Shteti Islamik Khorasan?


Fighters with IS-Khorasan, the affiliate in Afghanistan, vow allegiance to new Islamic State leader Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurashi, in this photo issued Nov. 5, 2019, by SITE Intelligence Group.

Dega e Shtetit Islamik që mori përgjegjësinë për sulmet vdekjeprurëse vetëvrasëse të së enjtes jashtë aeroportit të Kabulit u krijua në Afganistanin lindor gjashtë vjet më parë dhe shpejt u shndërrua në një nga kërcënimet më të rrezikshme terroriste në nivel global.

Megjithë vitet e luftës ndaj tij nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA, grupi i njohur si Shteti Islamik Khorasan ka mbijetuar dhe ka ndërmarrë shumë sulme ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë të NATO-s tërhiqen nga Afganistani dhe kur talebanët po kthehen në pushtet.

Presidenti Joe Biden përmendi kërcënimin e sulmeve të Shtetit Islamik kur tha se nuk do ta ndryshonte afatin e së martës për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani.

Më poshtë një vështrim ndaj këtij grupi vdekjeprurës:

Çfarë është Shteti Islamik Khorosan?

Dega e Shtetit Islamik në Azinë Qendrore u shfaq muaj pasi luftëtarët e qendrës së grupit u përhapën në Siri dhe Irak, duke krijuar një kalifat të vetëshpallur, ose perandori islamike, në verën e vitit 2014. Në Siri dhe Irak, forcave vendore dhe ndërkombëtare iu desh të luftonin për pesë vjet për të rrëzuar kalifatin.

Filiali i Afganistanit e merr emrin nga provinca Khorasan, një rajon që mbulonte pjesën më të madhe të Afganistanit, Iranit dhe Azisë qendrore gjatë mesjetës.

Grupi njihet edhe si ISK, ose ISIS K.

Kush janë luftëtarët e Shtetit Islamik Khorasan?

Në fillim grupi u krijua nga disa qindra luftëtarë talebanë të Pakistanit, të cilët kaluan kufirin në Afganistan për t’u mbrojtur pasi operacionet ushtarake i bënë që të iknin nga vendi i tyre. Ekstremistë të tjerë, me ideologji të ngjashme u bashkuan me ta, përfshirë luftëtarë talebanë afganë të pakënaqur me ato që ata - ndryshe nga Perëndimi - i shihnin si qëndrime shumë të moderuara dhe paqësore të talebanëve.

Ndërsa talebanët hynë në bisedime paqeje me Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit, ata talebanë që ishin gjithnjë e më të pakënaqur kaluan në radhët e Shtetit Islamik më ekstremist, duke rritur numrat e tij. Shumica ishin të indinjuar që talebanët kishin hyrë në negociata me SHBA -në në një kohë kur ata mendonin se lëvizja ishte drejt një fitoreje ushtarake.

Grupi gjithashtu ka tërhequr një numër të konsiderueshëm pjesëtarësh të Lëvizjes Islamike të Uzbekistanit,; luftëtarë nga krahina e vetme me shumicë myslimane suni në Iran; dhe anëtarë të Partisë Islamike të Turkistanit të përbërë nga ujgurët nga verilindja e Kinës.

Shumë u bënë për vete nga ideologjia e dhunshme dhe ekstreme e Shtetit Islamik, përfshirë premtimet për një kalifat për të bashkuar botën islame, një qëllim që nuk u mbështet kurrë nga talebanët.

Çfarë i bën ata një kërcënim të konsiderueshëm?

Ndërsa talebanët e kanë kufizuar luftën e tyre në Afganistan, grupi i Shtetit Islamik në Afganistan dhe Pakistan ka përqafuar thirrjen e Shtetit Islamik për një xhihad mbarëbotëror kundër jomyslimanëve.

Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike numëron dhjetëra sulme që luftëtarët e Shtetit Islamik kanë ndërmarrë kundër civilëve në Afganistan dhe Pakistan, përfshirë myslimanët shiitë të pakicës, si dhe qindra përplasje me forcat afgane, pakistaneze dhe të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që nga janari 2017. Megjithëse grupi nuk ka kryer sulme në Shtetet e Bashkuara, qeveria amerikane beson se ai përfaqëson një kërcënim të vazhdueshëm për interesat amerikane dhe të aleatëve në Azinë Jugore dhe Qendrore.

Cili është roli i tyre ndaj talebanëve?

Ata janë armiq. Ndërsa zyrtarët e zbulimit besojnë se luftëtarët e Al-Kaidës janë të integruar në mesin e talebanëve, talebanët, nga ana tjetër, kanë ndërmarrë ofensiva të mëdha të koordinuara kundër grupit të Shtetit Islamik në Afganistan. Kryengritësit talebanë në disa raste janë bashkuar me forcat qeveritare afgane të mbështetura nga Shtetet e Bashkura dhe me ushtrinë amerikane në operacionet për të mposhtur Shtetin Islamik në rajonet në verilindje të Afganistanit.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, duke folur për agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti, tha se administrata e Presidentit Trump kishte kërkuar një marrëveshje për tërheqjen e trupave amerikane me talebanët në vitin 2020, pjesërisht me shpresën për të bashkuar forcat me talebanët në luftën kundër degës së Shtetit Islamik në Afganistan. Administrata e Presidentitt Trump e konsideronte këtë grup si një kërcënim real për territorin amerikan.

Cilat janë rreziqet e tanishme?

Edhe kur Shtetet e Bashkuara kishin trupa luftarake, avionë dhe dronë të armatosur në Afganistan për të monitoruar dhe goditur Shtetin Islamik, militantët e Shtetit Islamik ishin në gjendje të vazhdonin sulmet pavarësisht mijëra viktimave në radhët e tyre, thuhet në një raport të ekspertëve Amira Jadoon dhe Andrew Mines për Qendrën e Luftimit të Terrorizmit të akademisë ushtarake West Point.

Tërheqja po kufizon kapacitetin e Shteteve të Bashkuara në territorin e Afganistanit dhe kërcënon të dobësojë aftësinë e tyre për të gjurmuar Shtetin Islamik dhe për të planifikuar sulme kundërkëtij grupi. Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden thonë se Shteti Islamik është vetëm një nga kërcënimet e shumta terroriste me të cilat ajo po merret në nivel global. Ata këmbëngulin se mund ta menaxhojnë atë me të ashtuquajturat asete ushtarake ajrore dhe të inteligjencës, të dislokuara në shtetet e Gjirit, luftëanije dhe zona të tjera më të largëta.

Frika më e madhe e Shteteve të Bashkuara në lidhje me tërheqjen e forcave të saj luftarake pas dy dekadash është se Afganistani nën sundimin e talebanëve përsëri mund të bëhet një magnet dhe bazë për ekstremistët që dëshirojnë të planifikojnë sulme kundër Perëndimit.

Këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan tha për kanalin CNN fundjavën e kaluar se ky është një kërcënim “në të cilën jemi të përqëndruar, me çdo mjet në arsenalin tonë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG