Lidhje

Ndikimi i ndryshimeve të klimës tek shtresat e ngricave në Siberi 


Ndikimi i ndryshimeve të klimës tek shtresat e ngricave në Siberi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:07 0:00

Në lartësitë e Siberisë Jugore, rrafshnalta Alash e maleve Sayan shfaqet madhështore mbi nivelin e detit.

Majat këtu variojnë nga 1,200 deri në 3,000 metra, temperatura mesatare vjetore është nga -5 në -7 gradë Celsius, por në mesin e verës është +18 gradë Celsius.

Një ekip shkencëtarësh po studiojnë ndryshimet në ekosisteme të nxitura nga ndryshimet klimatike.

Permafrosti është një pjesë territori që mbetet nën zero gradë Celsius për të paktën dy vjet. Është studiuar gjerësisht në Arktik pasi shkrirja e ngricës së përhershme lëshon gaz që bllokon nxehtësinë.

Tani shkencëtarët duan të studiojnë atë që po ndodh diku tjetër në Siberi, në një projekt të financuar nga Fondacioni rus i Shkencës.

Ekipi përbëhet nga studiues nga Universitetet Shtetërore Tomsk dhe Tyva.

“‘Permafrost’ është studiuar në mënyrë aktive, dhe më e rëndësishmja - në detaje - në Rusi që nga vitet 1970, por kryesisht në zonat fushore të Rusisë Perëndimore. Ndërsa torfat malore,"(myk i ngrirë) - janë studiuar shumë më pak në territorin e Rusisë ç, veçanërisht në vargmalin Altay-Sayan," thotë gjeografja Zoya Kvasnikova, studiuese në Universitetin Shtetëror Tyva.

Sergey Kirpotin, shkencëtari kryesor i projektit nga Universiteti Shtetëror Tyva, thotë se relievi po ndryshon në përgjigje të një klime më të ngrohtë.

"Akulli ka një vëllim më të madh se uji, dhe natyrisht, kur formohet akull, sipërfaqja rritet, por në të njëjtën kohë disa zona, dhe kjo është gjithashtu mjaft e dukshme, fillojnë të shkrijnë. Në epokën e ngrohjes së klimës, shkrirja e ngricës së përhershme fillon të mbizotërojë mbi zgjerimin e tij", thotë ai.

Proceset gjeologjike këtu janë aq aktive saqë e gjithë zona një ditë mund të zhytet nën ujë thotë gjeografja Kvasnikova:

"E gjithë kjo do të jetë mbuluar nga uji. Gjithë pjerrësira do të shkatërrohet."

Sipas Shërbimit Federal Rus për Hidrometeorologjinë dhe Monitorimin e Mjedisit, Roshydromet, malet e Siberisë Jugore kanë përjetuar ngrohjen më të madhe në Rusi që nga viti 1975.

Dimrat janë ngrohur nga 2 deri në 4 gradë Celsius, dhe verat me rreth 1 gradë.

Kur ngrica e përhershme shkrihet mund të shkaktojë formimin e liqeneve të vegjël të quajtur termokarst, të cilët mund të lëshojnë gazra që lidhen me ngrohjen globale.

"Kur proceset termokarste intensifikohen, lënda organike fillon të dekompozohet në këto liqene, dhe rrjedhimisht një sasi e madhe karboni hyn në ujë, i cili më pas çlirohet në atmosferë, ose në formën e dioksidit të karbonit ose në formën e metanit", shpjegon prof. Kirpotin.

"Prandaj, të gjitha së bashku, si pjesët malore, ku permafrosti po shkrin, dhe veçanërisht fushat e gjera kontribuojnë shumë në ndryshimin e klimës. Kjo do të thotë se nën ndikimin e vetë klimës, relievet ndryshojnë, dhe kjo nga ana tjetër ndikon në ndryshimin e mëtejshëm të klimës. Është një reagim zinxhir", shton ai.

Një tjetër fenomen i përhershëm, luhatja e terrenit, ndodh në shpatet e maleve.

Ky proces gërryerjeje shkakton ortekë, rrëshqitje toke dhe rrjedhje balte.

"Është një rrëshqitje e ngadaltë e tokës tatëpjetë nga graviteti. Këto janë gjithashtu procese të përhershme. Nëse keni parë disa si shkallë natyrore, janë shkaktuar nga kjo dukuri”, thotë prof. Kvasnikova.

Kjo rrëshqitje mund të kërcënojë shtegje të rëndësishme në atë zonë.

Rritja e reshjeve të pranverës gjithashtu kontribuon në rrjedhjet më të mëdha të ujit, në formimin e shtretërve të përkohshëm të lumenjve dhe, në përputhje me rrethanat, në rritjen e erozionit të tokës.

Rreshjet e shiut në këtë zonë janë rritur me 10 përqind në dekadën e fundit, sipas Roshydromet.

E vendosur në kryqëzimin e dy zonave klimatike, boreale dhe nën të thata, ky reliev unik është i pasur me biodiversitet.

Botanisti Andrey Pyak, profesor në Universitetin Shtetëror Tyva, tregon një lule të rrallë të njohur si aconitum biflorum.

"Është ndoshta një nga përfaqësuesit më interesantë të florës që gjendet në këto vende, aconitum biflorum. Ajo rritet pothuajse vetëm në Malet Sayan, madje vetëm në pjesën lindore të tyre. Nga këtu është përhapur më tej deri në kufirin perëndimor të territorit. "

Disa nga punimet e fundit në terren përfshijnë monitorimin e vetive biologjike, gjeologjike dhe kimike të ujit, ndryshimin e terrenit dhe anketimin e specieve endemike të bimëve.

Temperatura e tokës është me interes të veçantë për prof. Kirpotin, një biolog i specializuar në ekologjinë e relievit.

Një pjesë e rëndësishme është studimi i tokës: gërmimi, marrja e mostrave të tokës, përcaktimi i thellësisë së shkrirjes, matja e temperaturës së shtresës permafrost.

"Thellësia e ngrirjes, meqë ka pak dëborë, fryhet gjatë dimrit, shkon deri në katër metra. Natyrisht, nëse kemi ndryshime në kushtet klimatike, atëherë kjo zonë do të jetë e para që do të reagojë," thotë Oleg Merzlyakov, profesor në Institutin Biologjik të Universitetit Shtetëror Tomsk.

Do të duhet njëfarë kohe për të grumbulluar dhe përpunuar të dhënat para se të bëhen përfundimtare, por këto studime do të japin një kontribut të rëndësishëm në studimet globale të ndryshimeve klimatike.

Ekipi planifikon të botojë një artikull këtë vit në revistën “Atmosphere”.

XS
SM
MD
LG