Lidhje

Shkodër, protestë kundër rritjes së çmimeve


Rritja javët e fundit e çmimit të produkteve ushqimore dhe paralajmërimi për një krizë të energjisë elektrike, shoqëruar me rritjen e çmimit të saj, bëri bashkë sot në një protestë, përpara ndërtesës së Bashkisë së Shkodrës, disa dhjetëra qytetarë, pjesa më e madhe pensionistë. Sipas Zef Bregut, jetesa tashmë është bërë e papërballueshme.

Kjo rritje shumë e madhe e çmimeve, duke filluar nga buka, për ne si pensionitë është shumë e rëndë. Pensionet janë të ulëta, çmimet po dyfishohen, pra kjo është diçka që ne nuk mund ta përballojmë”, thotë ai.

Shkodër, protestë kundër rritjes së çmimeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:51 0:00

Vitore Çinari thotë se ka punuar 25 vite në fabrikën e cigareve dhe pensioni i saj është vetëm 1100 lekë. Ajo thotë se janë vështirësitë e jetesës që e kanë detyruar të dalë në protestë.

Ka plot që kalojnë kështu me skamje dhe detyrohen të heshtin sepse u vjen turp të dalin. Unë nuk kam turp, se me kaq jetoj. Pse duhet të pres lëmoshë nga fëmijët? Kam jetuar këtu, kam derdhur djersë, kam punuar në aksione, hekurudha, gjithëkund ku na ka dërguar shteti. Dhe kur vjen fundi, jetojmë pa dinjitet”, thotë ajo.

Protesta e sotme kundër rritjes së çmimeve mbështetet nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shkodrës, drejtuesi i të cilës, Albert Tukaj, thotë se nivelit të lartë të papunësisë në Shkodër, që ka arritur në 60 për qind, tashmë do t’i shtohet edhe rritja e çmimeve të pjesës më të madhe të artikujve të domosdoshëm për jetesën e përditëshme.

Sot protestojmë kundër rritjes se çmimit të bukës, kundër rritjes së çmimit të karburantit, që janë frymëmarrja e ekonomisë shqiptare. Protestojmë për biznesin e vogël kundër fiskalizimit. Apo e thënë ndryshe, kërkojmë nga qeveria shqiptare që për 5 vjet biznesi i vogël mos të trajtohet me fiskalizimin e ri, për shkak se sot ai doli nga lufta pandemike dhe biznesi i vogël është biznes social”.

Paulo Kacerja, pjesë e ekipit shëndetësor të Shkodrës, thotë se vështirësitë ekonomike do të nxisin edhe më shumë largimin e të rinjve nga vendi.

Ekspertët e ekonomisë kanë bërë të ditur se rritja e çmimit të grurit, karburanteve dhe energjisë elektrike do të ndikojë në rritjen e çmimit të të gjitha produkteve që konsumojnë qytetarët, duke vështirësuar edhe më tej gjendjen e tyre ekonomike.

XS
SM
MD
LG