Lidhje

Kosovë, pakënaqësi për shtrenjtimin e energjisë elektrike


Kosovë, pakënaqësi për shtrenjtimin e energjisë elektrike
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Autoriteti rregullator i energjisë thotë se rritja e çmimit është e pashmangshme për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike që importon Kosova, për të mbuluar mungesat.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar rivendosjen e blloqeve të tarifave për konsumatorët shtëpiak. Të gjithë konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 600 kilovatë energji në muaj, do të paguajnë energjinë shtesë të shpenzuar sipas çmimit të importit. Aktualisht çmimi i importit sillet rreth 250 euro për megavat në bursën ndërkombëtare, një shifër kjo shumëfish më e lartë se e çmimit të prodhimit në vend.

Qytetarët po kundërshtojnë rritjen e çmimit të energjisë duke shprehur shqetësimin për pasojat në mirëqenien sociale nga një veprim i tillë.

“Këtë muaj ka ardhë (pagesa) gati 60 euro, unë nxehem me dru dhe ka ardhë shtrenjt këtë muaj dhe në shkurt do të vjen edhe më shtrenjtë. Unë nuk e di, pa punë, qysh mundem me përballu unë rrymën?”, tha Skender Krasniqi

“Me u rritë çmimi i rrymës është katastrofë ne jemi pensionistë”, tha Ymer Latifi

“Kam ngrohje qendrore me rrymë, do të thotë jemi orientu qysh më herët, kështu që paguaj 130 euro faturë, kam të ardhura vetëm 198 euro, kam 6 anëtarë të familjes, kështu që nuk mund të ja dal dhe kam ardhë në protestë”, tha Beqir Hasi

“Jemi 19 anëtarë të familjes dhe vetëm unë punoj, 200 euro e kam rrogën, punoj sigurim, nuk e di si e përballojmë dhe çka bëjmë”, tha Idriz Rukovci.

Qeveria e Kosovës është zotuar të ndajë 75 milionë euro si mbështetje për të zbutur rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Qeveria thotë se rritje të çmimit do të ketë vetëm për sasinë e importuar dhe jo atë që prodhohet në vend dhe se aktualisht mundësitë e Kosovës janë të vogla për të mbuluar kërkesën e madhe të konsumit.

Liridona Sijarina, bashkorganizatore e protestës thotë se do të vazhdojnë përpjekjet për të parandaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë çdo tentativë që tenton të na varfëroj edhe do të kundërshtojmë të gjitha këto vendime që janë të padrejta për shkak se ne e dimë që ne nuk i kemi kushtet ekonomike për të përballuar rritje të tilla enorme dhe do të vazhdojmë me protesta duke parë që i shohim si alternativë të vetme që mundet me e ndalu çdo përpjekje të tillë që ka synim të na varfëroj dhe më tej”, tha ajo.

Kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike janë shprehur edhe partitë në opozitë të cilat paraqitën një rezolutë në parlamentin e Kosovës, por miratimi i saj dështoi meqë nuk u mbështet nga shumica parlamentare. Partitë opozitare braktisën mbledhjen e parlamentit në shenjë pakënaqësie ndërsa paralajmëruan përdorimin e çdo mjeti siç thanë, demokratik për te penguar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Kosova këtë dimër është detyruar të importojë deri në 40 për qind të energjisë elektrike për shkak të mungesës së kapaciteteve për të mbuluar kërkesat në rritje.

XS
SM
MD
LG