Lidhje

Sulmi ndaj Kapitolit, një i akuzuar pranon “gjyqin me juri”  


Capitol US
Capitol US

Një vit më parë, një turmë e zemëruar njerëzish sulmoi të njëjtën ndërtesë ku mbrëmjen e së martës Presidenti Joe Biden mbajti fjalimin e tij të parë për gjendjen e vendit. Më shumë se 750 persona janë arrestuar për sulmin ndaj Kongresit dhe 218 prej tyre e kanë pranuar fajësinë deri më tani. Por vetëm një person ka vendosur të dalë në gjyq. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti, i hedh një vështrim veprimeve të tij atë ditë, si dhe ndikimit që mund të ketë gjyqi ndaj tij për të pandehurit e tjetër që nuk janë gjykuar ende.

Sulmi ndaj Kapitolit, një i akuzuar pranon “gjyqin me juri”
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Në 6 janar të vitit 2021, një turmë njerëzish sulmon Kapitolin e Shteteve të Bashkuara për të ndaluar certifikimin e fitores së Joe Biden në zgjedhjet presidenciale. Burri me xhaketën blu është Guy Reffitt, një nga protestuesit.

Fillimisht policia i bëri thirrje të qetësohej… Një tjetër oficer i bën me shenjë të ndalojë, teksa ai po ngjiste shkallët drejt derës perëndimore të Kapitolit. Në përpjekje për ta ndaluar një oficer tjetër e spërkat me një solucion irritues.

Por Guy Reffitt vazhdon të ngjisë shkallët deri sa një polic i drejton armën, duke zemëruar turmën.

Ai tërhiqet më pas. Sipër helmetës së tij ai kishte vendosur një kamera “GoPro”, ndërsa mbante veshur edhe një jelek antiplumb. Sipas videove që disponojnë autoritetet, për asnjë moment ai nuk shfaqet i dhunshëm dhe kurrë nuk u hyri në ambientet e brendshme të Kapitolit.

Megjithatë, sipas prokurorëve, Guy Reffitt kishte me vete atë ditë një armë automatike dhe një pistoletë. Dhe sipas ligjeve të kryeqytetit amerikan, Uashingtonit, kjo është e ndaluar.

Ai pranoi se i kishte armët me vete, por thotë se ato ishin jashtë funksionit. Ndaj tij tani rëndojnë pesë akuza për vepra penale, duke përshirë armëmbajtje dhe për pengim të drejtësisë, pasi kishte kërcënuar se do të plagoste vajzën, djalin dhe gruan e tij, nëse i jepnin informacion FBI-së.

140 oficerë u plagosën në 6 janar të vitit 2021, pesë humbën jetën. Katër njerëz nga turma po ashtu humbën jetën. Nga më shumë se 750 personat e akuzuar deri më tani, më shumë se 215 e kanë pranuar fajin.

Guy Reffitt është i pari që zgjodhi një gjyq me juri, që filloi këtë javë në një gjykatë në Uashington.

Jon Lewis ndjek çdo rast për 6 janarin, si pjesë e një programi mbi ekstremizmin në universitetin “George Washington”.

“Nëse ka një vendim të shpejtë, të lehtë, pra fajtor, apo nëse ka një dënim që Departamenti i Drejtësisë e sheh si në përpjesëtim të drejtë me sjelljen e kryer, kjo mund të joshë të pandehur të tjerë dhe avokatë të tjerë mbrojtës të përgatisin çështje”, thotë ai.

Nëse ai shpallet i pafajshëm, më shumë të pandehur të tjerë mund të zgjedhin një gjyq me juri.

Dokumentet e dorëzuara në gjykatë nga prokuroria e akuzojnë Guy Reffitt se kishte lidhje me një grup milicësh nga Teksasi.

“Nuk ka asnjë pretendim se ai udhëtoi në Uashington me këtë grup, ose se ai ishte pjesë e ndonjë komploti më të gjerë. Por, përsëri kjo tregon se kemi të bëjmë me një sfidë të vazhdueshme dhe shumë prej këtyre ideologjive ekstremiste po bëhen të zakonshme”, thotë Jon Lewis, nga Universiteti “George Washington”.

Gjyqi pritet të zgjasë rreth një muaj. Sipas ekspertëve të fushës edhe arrestimet do të vijojnë për një kohë të gjatë, pasi të pandehurit mund të tregojnë për pjesëmarrës të tjerë, apo të zbulohen nga mediat sociale.

XS
SM
MD
LG