Lidhje

Sllovakia shqyrton mundësinë e dërgimit të raketave S-300 në Ukrainë


Sistemi raketor S-300
Sistemi raketor S-300

Zyrtarët sllovakë të mbrojtjes pritet të diskutojnë një transferim të mundshëm të sistemeve të tyre të mbrojtjes ajrore S-300 të epokës sovjetike në Ukrainë me Sekretarin amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin pasi ai të arrijë në vend të enjten, tha një zëdhënës ushtarak sllovak.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski përmendi raketat S-300 me emër gjatë një takimi virtual me ligjvënësit amerikanë të mërkurën, duke bërë thirrje për sisteme anti-ajrore që do të ndihmonin Ukrainën të "mbyllte qiejt" për avionët luftarakë dhe raketat ruse.

Zëdhënësja e Ministrisë sllovake të Mbrojtjes, Martina Koval Kakascikova tha se sllovakët presin që çështja të jetë në rendin e ditës kur Austin të arrijë në Bratisllavë për bisedime.

Sllovakia nuk ka asnjë kundërshtim në lidhje me dërgimin e raketave S-300 në Ukrainë, tha ajo. "Por ne nuk mund të heqim nga arsenali ynë një sistem që mbron hapësirën tonë ajrore nëse nuk kemi ndonjë zëvendësim për të", shtoi ajo.

Sistemi S-300 përdor raketa me rreze të gjatë që janë të afta të fluturojnë qindra kilometra dhe të godasin raketat kruz në ajër, si dhe avionët luftarakë. Sistemet e mbrojtjes kundërajrore të epokës sovjetike mund të jenë të dobishme në pengimin e sulmeve ajrore ruse në qytete dhe objektiva të tjerë në Ukrainë.

Presidenti amerikan Joe Biden tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të ndihmonin në sigurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën, por nuk dha detaje për këtë. Zyrtarët amerikanë nuk bënë asnjë koment për ndonjë shkëmbim të sistemit të mbrojtjes nga raketat S-300. Tre anëtarë të NATO-s – Sllovakia, Greqia dhe Bullgaria njoftohet se janë të pajisura me sistemin e mbrojtes raketore S-300.

XS
SM
MD
LG