Lidhje

Kancelari i Austrisë Karl Nehamme në Kosovë, shpreh mbështetje për Ballkanin


Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, tha të premten në Prishtinë se Kosova dhe Austria duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën si shtete mike për të tejkaluar sfidat e kohës, siç janë pasojat e pandemisë COVID-19 dhe ato të luftës në Ukrainë.

Këto komente ai i bëri gjatë vizitës në Prishtinë ku u takua me udhëheqës të institucioneve të Kosovës.

“Federata Ruse e ka sulmuar Ukrainën dhe tani shtrohet çështja se çfarë pasojash do të ketë edhe për ne në rrethanat tona dhe se ku mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Si ta trajtojmë inflacionin, rritjen e çmimit të energjisë si dhe të produkteve ushqimore dhe të gjitha këto duhet t’i zgjidhim së bashku sepse jemi miq që në kohëra të vështira dhe nuk duhet ta lëmë njëri-tjetrin vetëm”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se lufta në Ukrainë po shkel çdo normë ndërkombëtare dhe njerëzore, duke sulmuar një komb në mënyrë të paarsyeshme dhe të paprovokuar.

Ai shprehu shqetësimin se kjo luftë mund të rrezikojë edhe Ballkanin Perendimor.

“Përshtypja ime është që presidenti rus dëshiron të ulet në tryezën e negociatave jo me presidentin Zelensky por me presidentit Biden dhe për këtë qëllim të tij, që do t’i përngjante një Jalte II, një lloj konference të re të Jaltës. Unë kam drojën që ai do ta intensifikojë luftën në Ukrainë por edhe ta shpërndajë atë diku tjetër, sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me agresionin në Ukrainë. Ballkani Perendimor është i rrezikuar meqë edhe në Ballkanin Perendimor ka luftë hibride. Sputnik-u e ka qendrën në Beograd ndërsa 160 kilometra larg nga ku jemi ne sot, në Nish, ndodhet e ashtuquajtura “Qendra Humanitare Ruse”, ajo është një qendër aktive plot me agjentë rus, ne jemi të brengosur por jo të frikësuar”, tha ai.

Zoti Nehammer tha se në rast të çfarëdo lloj kërcënimi, Kosova nuk është vetëm.

“Austria ka kontigjentin më të madh brenda trupave të NATO-s në Kosovë. Edhe ky mision i paqes është një shenjë sikurse në Bosnje ku kemi gjithashtu austriakë, prandaj është e rëndësishme që Bosnja sikurse edhe Kosova ta dinë se nuk janë vetëm. Pra nëse ka kërcënime reagohet shpejt. Miqësinë që e përmenda më parë dhe lidhjen tonë, këto nuk janë vetëm fraza apo fjalë por janë politikë konkrete”, tha ai.

Kryeministri Kurti kërkoi nga kancelari austriak që shteti i tij të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosova të arrijë të plotësojë aspiratat e saj integruese.

XS
SM
MD
LG