Lidhje

Këshilltarja e Presidentit Biden për Sigurinë Kombëtare, Sherwood-Randall viziton Kosovën


Elizabeth Sherwood-Randall
Elizabeth Sherwood-Randall

Në Kosovë po qëndron një delegacion i Shtëpisë së Bardhë i udhëhequr nga Elizabeth Sherwood-Randall, këshilltare e Presidentit amerikan Joe Biden, për Siguri Kombëtare. Ata po zhvillojnë takime me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi në rrjete sociale pas takimit se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë jetike dhe strategjike. Presidentja Osmani tha se Kosova është duke e shtuar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, posaçërisht në forcimin e marrëdhënieve politike, ushtarake dhe ekonomike.

Takimi po ndodh një ditë pasi që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani publikoi një letër ku i kërkoi Presidentit amerikan Joe Biden që ta ndihmojë Kosovën të bëhet anëtare e NATO-s në një kohë kur Rusia po bën përpjekje për të destabilizuar Ballkanin.

Presidentja Osmani thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë një çështje jetike për Prishtinën, ndërsa i kërkoi presidentit Biden që të përdorë “udhëheqjen dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit të Kosovës në NATO”.

Autoritetet në Kosovë kanë themeluar grupin punues ndërinstitucional, që synon përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, mes shqetësimeve se agresioni i Rusisë në Ukrainë mund të nxisë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

XS
SM
MD
LG