Lidhje

Irani: Palët pranë ringjalljes së marrëveshjes bërthamore


Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian

Zyrtarë të lartë amerikanë thonë se tani i takon Iranit që të marrë vendime të vështira, të nevojshme për rikthimin tek marrëveshja bërthamore pas gati një viti bisedimesh shumëpalëshe në Vjenë. Por disa ligjvënës amerikanë, republikanë dhe demokratë, po bëjnë thirrje për kujdes, duke thënë se është më mirë që të mos ketë marrëveshje fare sesa të arrihet një marrëveshje e keqe.

Kryediplomati iranian, Hossein Amirabdollahian, tërhoqi vëmendjen e medias të mërkurën ndërsa bëri një deklaratë në Damask mbi bisedimet bërthamore në Vjenë.

“Besojmë se sot jemi më pranë një marrëveshjeje në Vjenë se kurrë më parë”.

Bisedimet e Vjenës, që po zhvillohen prej gati një viti, kanë për qëllim frenimin e programit bërthamor të Teheranit në shkëmbim të heqjes së sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Iranit.


Por negociatat janë ndërprerë. Zyrtarët amerikanë duken më pak optimistë për arritjen e një mirëkuptimi për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Presidenti i mëparshëm, Donald Trump, i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja në vitin 2018.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price thotë se i takon Teheranit të marrë vendimet e vështira, të nevojshme për të arritur marrëveshjen.

“Një marrëveshje e këtij lloji nuk është as e afërt dhe as e sigurtë. Pikërisht për këtë arsye, për pjesën më të madhe të vitit, jemi përgatitur për secilin rast apo skenar”.

Disa ekspertë thonë se sa më gjatë të ndërpriten negociatat, aq më të vogla janë gjasat për një marrëveshje.

“Sa më e gjatë të jetë pauza, aq më i madh është rreziku që bisedimet të futen në një gjendje ku nuk ka as përparim dhe as kthim mbrapa. Ndërkohë, Irani vazhdon të bëjë përparime në fushën bërthamore”, thotë Henry Rome me Grupin Eurasia.

Ekspertët thonë se bisedimet duket se ishin pranë një marrëveshjeje derisa Rusia kërkoi që tregtia e saj me Iranin të mos dëmtohej nga sanksionet për sulmin e Kremlinit ndaj Ukrainës.

Nga ana tjetër, kryediplomati rus Sergey Lavrov tha se Moska kishte marrë garanci për vazhdimin e përfshirjes së saj në planin bërthamor iranian, siç përcaktohet në marrëveshjen bërthamore.

Disa ekspertë paralajmërojnë se Rusia dëshiron ta shfrytëzojë marrëveshjen bërthamore. Behnam Ben Taleblu me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Rusia e ka pozicionuar veten mirë për të përfituar nga tregtia bërthamore dhe ushtarake dhe nuk po kërkon të shtojë në mënyrë të drejtëpërdrejt fuqinë tregtare me Iranin. Ndërsa ekonomia ruse po dëmtohet si rezultat i ndërhyrjes në Ukrainë, Kremlini po e përdor me sukses Iranin si një mënyrë për të anashkaluar këtë dhimbje”.

Ai thotë se Irani ka nevojë ta ringjallë marrëveshjen bërthamore për arsye ekonomike dhe se udhëheqësit e Teheranit e dinë se marrëveshja bërthamore ka kundërshtarë politikë në Shtetet e Bashkuara.

Shumica e ligjvënësve republikanë vazhdojnë të mbajnë anën e ish-presidentit Trump, kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin. Madje ka shqetësime se administrata e Presidentit Biden mund të pranojë heqjen e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike nga lista e organizatave terroriste në mënyrë që të arrihet marrëveshja bërthamore.

Senatori republikan Todd Young shkroi në Twitter:

“Heqja e Gardës Revolucionare iraniane nga lista e grupeve terroriste dhe çbllokimi i aseteve të saj do të ishte si t’i hedhësh benzinë zjarrit ”.

Shumë ligjvënës demokratë janë të shqetësuar se Irani mund të krijojë shumë shpejt armë bërthamore. Por shumica besojnë se ringjallja e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 është e vetmja mënyrë realiste për ta ndaluar që kjo të ndodhë.

XS
SM
MD
LG