Grupe qytetarësh serb të Kosovës, protestuan të premten në Mitrovicën e Veriut dhe në Graçanicë afër Prishtinës, për shkak të moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë në Kosovë.
Me thirrjet “Paqe kundër dhunës së Kurtit” dhe “Kurti shkatërrove marrëveshjen e Brukselit, shkatërrove gjithçka”, protestuesit kundërshtuan vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për pezullimin e kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stefanoviç, pasi ajo mori pjesë në një takim të Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.
Përfaqësuesit politik të serbëve dhe punonjësit e gjykatës në veriun e vendit, thanë se kanë pezulluar punën e tyre në institucione deri sa nuk kthehet në punë gjkaytësja e pezulluar.
“Gjithashtu të gjithë përfaqësuesit politik e kanë suspenduar punën e tyre me kërkesë të qartë, e kjo është që e drejta e qytetarëve serbë të respektohet, që të ndalohet dhuna institucionale ndaj neve”, tha kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jetviç.
Ai tha se të gjitha veprimet e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti kanë për qëllim largimin e serbëve nga Kosova.
“Ne me këtë protestë të qetë, me këtë heshtje, protestuam pa asnjë incident, është porosi e qartë se dëshirojmë të luftojmë në mënyrë demokratike dhe është përgjegjësi e të gjithëve, sikurse për ata që sot udhëheqin me qeverinë në Prishtinë po ashtu edhe te përfaqësuesve ndërkombëtar, nga të cilët kërkojmë mbrojtje, mbrojtje institucionale”, tha kryetari i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jetviç.
Përfaqësuesit politik të serbëve akuzuan kryeministrin Albin Kurti se me vendimet e tij po shkatërron marrëveshjen e Brukselit.
Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian, para fillimit të protestave shprehën shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve. Në një komunikatë të përbashkët ata thanë se qytetarët kanë të drejtë për tubime paqësore si dhe përgjegjësinë për të siguruar që tubime të tilla të mos bëhen të dhunshme. “Forcat e rendit kanë detyrimin për të ruajtur rendin publik dhe duhet ta bëjnë këtë pa cenuar parimet demokratike të fjalës së lirë dhe tubimit”, thuhet në komunikatë duke u bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo retorikë apo veprim që mund të rrisë tensionet.
Situata rreth zgjedhjeve ka nxitur tensione dhe presidenti i Serbisë tha mbrëmë se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston me “vullnetin Kurtit dhe mbështetësve të tij”.
Presidenti Vuçiç, përmes një video mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po përgatitet për “sulm mbi serbët” duke e akuzuar atë për pezullimin e gjykatëses serbe në veriun e Kosovës. Ai tha se pezullimi është vendosur me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas tij, të premten, më 25 mars, pritet të shkarkojë “të gjithë komandantët dhe policët serbë” që morën pjesë në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
Kryeministri Kurti shkroi të premten në rrjetet sociale se “unë nuk jam as kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga qeveria. Ndoshta në Serbi presidenti pezullon dhe largon gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo nuk ndodhë në Kosovë ose me gjyqtaren Stefanoviç. Ne jemi vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, plotësisht në linjë me BE-në dhe NATO-n”, shkroi ai.
Inspektorati i Policisë së Kosovës bëri të ditur se është duke shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së zyrtarëve të policisë së Kosovës në takimin me presidentin e Serbisë.
Më 22 mars, presidenti i Serbisë priti përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për të diskutuar për moslejimin që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit të mbahen në Kosovë.
Në takim morën pjesë edhe oficerë serbë të policisë së Kosovës nga veriu i saj. Në krah të presidentit serb ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç, ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione në dhjetor të vitit të kaluar.
Qeveria e Kosovës tha se nuk ka arritur një marrëveshje me Serbinë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, meqë Beogradi refuzoi që qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë qeverisë së Kosovës. Presidenti serb tha se Kosova synoi që përmes zgjedhjeve të sigurojë njohjen e pavarësisë së saj nga Serbia.
Presidenti serb vendosi që serbët e Kosovës të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në disa komuna në jug të Serbisë.