Lidhje

Ukraina thotë se Rusia po përgatit një sulm në juglindje të vendit


Ushtria ukrainase tha se forcat ruse po përgatiten për një sulm në juglindje të Ukrainës, ndërsa presidenti Volodymyr Zelenskyy përgatitet të flasë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mes zemërimit pas dëshmive se ushtarët e Moskës vranë shumë civilë ukrainas.

Qeveria e presidentit rus Vladimir Putin, po dërgon ushtarë në lindje të Ukrainës për të vënë nën kontroll zonën industriale të njohur si Donbas. Kjo pason tërheqjen ruse nga zonat përreth kryeqytetit, Kiev, që çoi në zbulimin e kufomave, duke nxitur akuza për krime lufte dhe kërkesa për sanksione më të ashpra ndaj Moskës.

Shtabi i Përgjithshëm shkroi në faqen e tij në Facebook se forcat ruse janë të përqendruara në pushtimin e qyteteve Popasna dhe Rubizhne në rajonet Donetsk dhe Luhansk dhe portin e Mariupolit në Detin e Zi. Rajonet Donetsk dhe Luhansk kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia dhe njihen nga Moska si shtete të pavarura. Shtabi i Përgjithshëm tha se qasja në Kharkiv në lindje, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është bllokuar.

“Armiku po rigrupon trupat dhe po përqendron përpjekjet e tij në përgatitjen e një operacioni sulmues në lindje të vendit tonë”, thuhet në deklaratë. “Qëllimi është vendosja e kontrollit të plotë mbi territorin e rajoneve Donetsk dhe Luhansk”.

Presidenti Zelenskyy, planifikon t'u drejtohet diplomatëve të Këshillit të Sigurimit të martën mes kërkesave për një hetim të krimeve të mundshme të luftës.

Gjermania dhe Franca reaguan duke dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, duke sugjeruar se ata ishin spiunë. Presidenti Joe Biden tha se Putini duhet të gjykohet për krime lufte.

Në një tjetër veprim mbështetës, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen planifikon të udhëtojë në Kiev këtë javë bashkë me shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, për t'u takuar me presidentin Zelenskyy.

Të martën ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, njoftoi për dëbimin e 30 diplomatëve rusë, ndërsa Danimarka tha se po dëbon po ashtu 15 diplomatë rusë. Moska e cila hodhi poshtë pohimet për vrasjet e civilëve në Buça, paralajmëroi veprime hakmarrëse për dëbimin e diplomatëve të saj.

*Pjesë të këtij artikulli janë marrë nga agjencia e lajmeve Associated Press.

XS
SM
MD
LG