Lidhje

Zelenskyy falënderon partnerët për dërgimin “armëve që i nevojiten Ukrainës”


Zëvendës komandanti i ushtrisë ruse tha se qëllimi i Moskës është të kontrollojë Donbasin dhe Ukrainën jugore, gjë që do t'i jepte Rusisë qasje në enklavën separatiste moldave të Transnistrias dhe do t’ia bllokonte Kievit qasjen në Detin e Zi. Por, zyrtarët amerikanë janë zotuar se do të ndihmojnë Ukrainën të mbrohet.

Ndërsa sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vazhdonte në qytetin e Kharkivit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken priti kryeministrin e Ukrainës Denys Shmyhal në Departamentin e Shtetit të premten. Zoti Blinken përsëri shprehu besimin se Ukraina do të mbijetojë në këtë luftë.

Zelenskyy falënderon partnerët për dërgimin “armëve që i nevojiten Ukrainës”
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:19 0:00

“Mendoj se kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë të qeverisë ukrainase që nga fillimi i agresionit rus, një dëshmi e mëtejshme se një Ukrainë e pavarur dhe sovrane do të ekzistojë shumë më gjatë se Vladimir Putini”, tha ai.

Kryeministri Shmyhal dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderuan Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë perëndimorë që "më në fund" siguruan armët që i nevojiten Ukrainës për të luftuar kundër ofensivës së Rusisë në Donbas dhe Ukrainën jugore.

“Falenderoj të gjithë partnerët tanë që më në fund na dëgjuan, të cilët po na ofrojnë pikërisht atë që kërkuam. Sepse ne e dimë me siguri se me këto armë do të mund të shpëtojmë jetët e mijëra njerëzve”, tha presidenti Zelenskyy.

Në Pentagon, zëdhënësi John Kirby u pyet nëse forcat e Ukrainës, tani që po furnizohen me armë të rënda, do të jenë në gjendje të mposhtin rusët.

“Unë mendoj se kjo është një pyetje që vetëm forcat e armatosura të Ukrainës mund t'i përgjigjen, jo ushtria e Shteteve të Bashkuara. Ajo që mund t'ju them është se ne, së bashku me mbi 30 vende të tjera, po bëjmë gjithçka që mundemi për t'u dhënë atyre mjetet që u nevojiten për të mbrojtur veten dhe për të larguar rusët", tha ai.

Disa vëzhgues thonë se vlerësimi i Shteteve të Bashkuara për aftësinë e Ukrainës për të fituar ka ndryshuar gjatë dy javëve të fundit.

"Deri në javën e fundit, mendoj se amerikanët nuk ishin plotësisht të bindur se Ukraina mund të fitonte. Dhe kishte disa dyshime nëse dërgimi i këtyre armëve të rënda ishte i nevojshëm. Unë mendoj se pati një ndryshim në javën e fundit, dhe tani janë marrë vendimet për t’i dhënë Ukrainës armë shumë më serioze”, thotë historiania Anne Applebaum.

Përpara Pashkëve Ortodokse këtë të dielë, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se ai i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin gjatë një telefonate të premten për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në qytetin e rrethuar të Mariupolit, ku civilët vazhdojnë të jenë të bllokuar.

XS
SM
MD
LG