Të rinj nga vende europiane dhe Ballkani Perëndimor janë mbledhur në Gjirokastër për të nxitur aktivitetin e tyre krijues në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore. Mes tyre, një arkitekte ka udhëtuar nga Ukraina duke sfiduar vështirësitë e luftës dhe po punon që çatitë prej guri të Gjirokastrës të bëhen më të prekshme nga turistët.
Të rinjtë pjesëmarrës në aktivitetin që mbështetet nga Bashkimi Europian vlerësojnë këmbimin e përvojës mes tyre dhe pasionin për artin dhe trashëgiminë kulturore.
Një grup të rinjsh nga vendet evropiane dhe Ballkani Perëndimor janë mbledhur në Gjirokastër, një qytet që mbrohet nga UNESCO. “Gjiro Art” është një aktivtet që mbështetet nga programi kulturor evropian “Europa Krijuese” dhe të rinj të apasionuar punojnë për të krijuar vepra në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore.
Katerina Kuzmuk erdhi në këtë kamp nga Ukraina në një udhëtim të vështirë nga Kievi duke kaluar një natë në kufi deri në Poloni dhe më pas në Shqipëri. Situata është shumë e vështirë në Ukrainë, çdo gjë është e pasigurt pasi ushtria ruse kryen bombardime thotë Katerina.
“Në mesnatë njerëzit zgjohen nga sirenat e bombardimeve dhe tre a katër herë futen në bazat e strehimit për t`i shpëtuar goditjeve ajore", thotë më tej ajo.
Katerina në profesion arkitekte flet për më tej se me çfarë po punon në Gjirokastër në kampin e krijuesve të rinj.
“Projekti im lidhet me pjesën e qytetit të vjetër të Gjirokastrës dhe konkretisht me çatitë prej guri. Po mendoj të hartoj një material me disa vende ku turistët kanë mundësi të shohin çatitë prej guri pasi në të shumtën e rasteve ato nuk shihen nga rrugët e ngushta. Ato jane unike dhe duhen gjetur mënyra që të ekspozohen për turistët nga pika panoramike që duhen përcaktuar në mënyrë profesionale dhe më pas ekspozuar", tregon ajo për Zërin e Amerikës.
Ndërsa Edvin Lamçe, përfaqësues i Fondacionit “Gjirokastra” që koordinon këtë aktivitet thotë se prej disa vitesh bashkëpunojnë me një organizatë homologe në Ukrainë por këtë vit pjesëmarrja ishte e vështirë nga lufta.
“Partneri ynë në Ukrainë është “Arti Kids”, një orgnizatë në Kiev. Kemi pasur vështirësi për pjesën e parë të vitit pasi menduam që nuk do tia arrinim dot të bashkoheshsim në aktivitetet tona. Por një nga përfaqësuesit ka udhëtuar me autobus drejt Polonisë dhe më pas drejt Tiranës për të marrë pjesë në kampin tonë të krijuesve”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Ndërsa Orjda Dajko që ka përfunduar studimet master për trashëgimi kulturore thotë se prania e Katerinës tregon që pasionet sfidojnë vështirësitë.
“Në momentin që kemi marrë vesh që vajza ishte nga Ukraina dhe ka ardhur nga Ukraina në Gjirokastër ne kemi bërë një duartrokitje të fortë të gjithë si grup sepse kjo tregon një sakrificë shumë të madhe për një person që e do artin që në një gjendje aq të vështirë që është vendi i vet arrin ta gjejë kohën dhe për vetveten. Është dhe si një formë paqeje, ose një oaz ku ajo mund të gjejë kohë si artiste të mund të shkruajë dhe të punojë. Ka pasur mbështetjen e stafit dhe gjithë pjesëmarësve. Edhe në një festë që ishim së bashku u vunë disa këngë nga Ukraina që ishin një mbështetje shumë e madhe për Katerinën”, thotë ajo.
Ndërsa artistët e rinj do të motivohen për të punuar këto ditë me ide të ndryshme në Gjirokastër, Fabio Toska thotë se ka zgjedhur tre figura historike grash për instalacionin e tij.
“Vij me një ide artistike. Konkretisht projekti ka të bëjë me një instalacion artistik i cili do të përmbledhë tre figura femërore të shquara nga qyteti i Gjirokastër të cilat ajnë konkretisht princesha Argjiro, një figurë legjendare, Urani Rumbo, një mësuese dhe një aktiviste për emancipimin e gruas si dhe figura më emblematike që ne njohim sot Musine Kokalari, shkrimtare, politikane, intelektuale e shquar dhe e persekutuar nga regjimi komunist", thotë ai.
Kordinatori i projektit të artistëve të rinj Edvin Lamçe thotë se do të synohet që disa nga punimet e të rinjve të ekspozohen në sallën e Parlamentit Evropian në Bruksel.
Mes punimeve do të zërë vend edhe materiali i Katerinës e cila shpreson që vendi i saj sa më shpejt të dalë nga lufta dhe për njerëzit të kthehet paqja.