Lidhje

Financimi i partive, ekspertët kërkojnë transparencë të detyruar


Në Tiranë, studiues të jetës politike kërkuan që transparenca e financimit të partive politike të bëhet përmes ligji detyrues dhe jo me vetëdeklarimet e deritanishme.

Financimi i partive, ekspertët kërkojnë transparencë të detyruar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:52 0:00

Ekspertët shqiptarë pohuan, në një tryezë mbi integritetin e zgjedhjeve, se transparenca e financave partiake është një nga nga pikat më të dobëta të jetës politike, ndonëse kjo çështje është një nen i posaçëm në Kushtetutën e Shqipërisë.

Ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, rreth një tryeze të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndihmë elektorale dhe Qendra për Sundimin e Ligjit në Universitetin e Helsinki, theksuan se transparencës së financave politike është thelbësore për të kthyer integritetin dhe besimin tek zgjedhjet e Shqipërisë.

Studiuesi i njohur i politikës, dr. Afrim Krasniqi, kujtoi në tryezë se Shqipëria e ka të shkruar si nen në Kushtetutë që partitë politike duhet të publikojnë gjithmonë financimet e tyre, por kjo nuk është zbatuar dhe, sipas tij, nuk pritet të bëhet realitet as në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe parlamentare.

Krahas nevojës për të riformatuar KQZ, tha ai, një temë kryesore e transparencës së financave është dekriminalizimi i politikës nga prurjet kriminale të parave dhe kandidatëve.

“Është thelbësore pikëpyetja se çfarë do të bëjmë me dekriminalizimin. Ne largojmë me të drejtë nga politika një person që plotëson gabim formularin, por nuk largojmë nga politika një individ, i cili financohet nga grupet kriminale dhe kjo mbetet edhe në deklaratat amerikane, si për non gratat, ashtu edhe për individët e përfshirë në sanksionet financiare në lidhje me aktivitetet kriminale, dhe të tillë kemi patur dhe vazhdojmë të kemi” - tha zoti Krasniqi.

Vëzhgues me përvojë si Shoqata për Kulturë Demokratike mendojnë se reformat zgjedhore nuk janë efikase dhe partitë politike kanë vullnetin minimal për transparencën e financimeve të tyre.

Drejtuesja e kësaj organizate me përvojë 30-vjeçare në vëzhgimin e zgjedhjeve, Gerta Meta, theksoi se vetëdeklarimi i partive nuk funksionon, tani kontrollet duhen bërë me ligj dhe me forcë detyruese.

“Mënyra se si auditët dhe KQZ i ka përfshirë ata në këtë detyrë, ata duhet të kthehen nga monitorues të thjeshtë që lëxojnë vetëm faturat që u ofrojnë partitë politike, por monitorimi duhet të jetë më i thellë për të gjetur se realisht nga vijnë këto paratë e palëve të treta dhe donatorëve hije, që financojnë thellësisht dhe me shumë para fushatat zgjedhore në Shqipëri” - tha zonja Meta.

Bashkëkryetari opozitar i komisionit të sapongritur për reformën zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, tha se pjesë e kësaj reforme duhet të jenë një herësh institucionet vendase e ndërkombëtare si edhe organizatat joqeveritare.

Sipas tij, çështja kryesore, bashkë me fshehjen e burimit të parave, është shfrytëzimi i burimeve shtetërore nga qeveria socialiste gjatë fushatës zgjedhore.

“Problemi shqetësues është se shteti, me buxhetin e shtetit, së bashku me krimin e organizuar dhe me paratë e pista, zbret në fushë betejën elektorale. Kjo çështje është trajtuar në konstatimet dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR, dhe kësaj i duhet gjetur një zgjidhje” – tha zoti Alibeaj.

Përfaqësueqi i Partisë Socialiste në këtë konferencë, Eridian Salianji, tha se financat e partive duhen kontrolluar në kohë më të gjatë, jo vetëm në kohë fushatash, sepse ato janë në veprimtari elektorale gjithë kohës, dhe gjithçka e bëjnë për qëllime elektorale.

"Ligji për partitë politike dhe Kodi Zgjedhor duhen ndryshuar njëkohësisht sa i takon financimit të partive, shpenzimeve dhe kontrollit të tyre, që të mos kenë mospërputhje. Ligji i partive politike, edhe pse është një ligj i thjeshtë me 71 vota, duhet të trajtohet në kuadër të reformës zgjedhore nga të gjithë palët; PS, PD dhe subjekte të tjerë” - tha ai.

Në takim u diskutua mbi fuqizimin e KQZ që të kontrollojë financimet dhe shpenzimet e partive politike para dhe pas zgjedhjeve.

Po ashtu u kërkua që krahas financimit të partive, duhen përcaktuar rregulla të sakta si funksionon lobimi dhe fondi për lobimin.

Komisioni i posaçëm i Reformës zgjedhore zhvilloi mbledhjen e parë të premten e kaluar me anëtarë të barabartë dhe bashkëkryesim të shumicës dhe opozitës, për të shqyrtuar 23 rekomandime të OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.

Të paktën 5 rekomandime kryesore lidhen “me rishikimin e kornizës ligjore, për të garantuar të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë, për identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të blerjes së votës, për garantimin e sigurisë së të dhënave personale të qytetarëve dhe kufizimin e përdorimit në lajme të materialeve elektorale”.

Raporti i ODIHR-it, vlerësoi procesin zgjedhor, se “votuesit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore”, por përmend shqetësimet lidhur me shitblerjen e votës si dhe “shfrytëzimin nga ana e Partisë Socialiste të burimeve që jep qenia në pushtet”.

XS
SM
MD
LG