Lidhje

Jeta e re e tre të rinjve ukrainas të zhvendosur në Lviv


Ukraine Cafe
Ukraine Cafe

Pas fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës, tre miq u detyruan të largoheshin nga qytetet e tyre në lindje të vendit për në qytetin perëndimor të Lvivit. Por kjo nuk i pengoi ata të rifillonin menjëherë jetën e tyre në këtë qytet.

Jeta e re e tre të rinjve ukrainas të zhvendosur në Lviv
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

Një lokal i vogël pranë një stacioni tramvaji në qendër të Lvivit është vendi ku filloi jeta e re e Ivan Demchenkos rreth tre muaj më parë.

Studenti 19-vjeçar i shkencave politike nga Borodyanka hapi këtë kafe së bashku me miqtë e tij Serhiy Stoyan nga Irpini dhe Daryna Mazur nga Nizhyni.

“Ne përpiqemi të mos kërkojmë ndihmë, asnjë ndihmë financiare. E hapëm këtë biznes për të mos e rënduar shtetin”, thotë ai.

Kafeja e tyre mban emrin e një maçoku që ishte pjesë e vlog-ut me tema nga kuzhina që Stoyani e menaxhonte në qytetin e tij dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot. Pasi u nis për në Lviv, maçoku përfundoi në një strehë dhe iku gjatë bombardimeve ruse. Stoyani është ende në kërkim të tij.

“Po e kërkoj. Maçoku është zhdukur. Ai vrapoi jashtë strehës gjatë një shpërthimi, dhe tani unë jam këtu, duke ushqyer macet e tjera”, thotë ai.

Përveç klientëve të rregullt, miqtë kujdesen për macet pranë kafenesë së tyre, ku tasi me ujë jashtë saj nuk është kurrë bosh.

“Në fillim e bëmë këtë për të larguar vëmendjen nga lufta. Gjyshërit e mi jetuan gjatë një pushtimi. Kam menduar vazhdimisht për përvojat e tyre. Kam të ashtuquajturën sindromën e të mbijetuarit. Shpesh pyes veten pse jam këtu, pse nuk jam me ta? Biznesi më ndihmoi të mos mendoj shumë për këtë.”

Ivan Demchenko mendoi se po largohej nga vendlindja e tij Borodyanka vetëm për disa ditë, kështu që ai mori me vete dy bluza, një laptop dhe 500 dollarë para të gatshme.

Në atë kohë, ai nuk mendonte se në vetëm disa muaj, ai do të ishte bashkëpronar i një biznesi të vogël në Lviv.

“Banorët e Lvivit na mirëpritën dhe ne jemi mirënjohës për këtë. Kështu që këtu ne bëjmë atë që dimë më mirë”, thotë ai.

Vetëm Maçoku u mungon këtyre tre miqve që kanë nisur një jetë të re në Lviv. Ata ende shpresojnë ta gjejnë kafshën e tyre të dashur me ndihmën e miqve të tyre të shumtë në rrjetet sociale, të cilët u kanë premtuar se do ta bëjnë këtë.

XS
SM
MD
LG