Lidhje

Tonelata me grurë lënë Ukrainën 


The Glory bulk carrier makes its way from the port in Odesa, Ukraine, Aug. 7, 2022.
The Glory bulk carrier makes its way from the port in Odesa, Ukraine, Aug. 7, 2022.

Katër anije të tjera që transportonin drithë dolën nga portet ukrainase që kanë dalje në Detin e Zi. Megjithatë zbatimi i marrëveshjes mes Kievit dhe Moskës ka ecur ngadalë. Ndërkohë analistët paralajmërojnë se Rusia po lëviz trupat dhe pajisjet ushtarake në drejtim të porteve, me synimin për të shmangur një kundërofensivë ukrainase.

Katër anije me drithë u larguan të dielën nga portet e Ukrainës që kanë dalje në Detin e Zi.

Organi që mbikëqyr një marrëveshje ndërkombëtare, që synon të nxjerrë rreth 20 milionë drithë nga Ukraina tha se anijet e ngarkuara u nisën nga portet në Chornomorsk dhe Odesa.

Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan marrëveshje muajin e kaluar për të krijuar një kanal detar që do të mundësonte kalimin e sigurt të anijeve nga portet e Ukrainës, lundrimi i të cilave ishte bllokuar me fillimin e agresonit rus në Ukrainë.

Papa Françesku përshëndeti nisjen nga portet ukrainase të anijeve të para që transportonin grurë dhe tha se kjo marrëveshje mund të jetë një model për dialog dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ndërkohë luftimet në Ukrainë vazhdojnë dhe analistët kanë paralajmëruar se Rusia po lëviz trupat dhe pajisjet në drejtim të porteve për të shmangur një kundërofensivë ukrainase.

Ndërkohë vëmendja e faktorit ndërkombëtar është përqendruar tek zhvillimet në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë.

Kompania shtetërore e energjisë bërthamore në Ukrainë tha se një punëtor u plagos pas sulmit të centralit bërthamor të shtunën në mbrëmje.

Palët kanë akuzuar njëra-tjetrën si përgjegjëse për sulmin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy bëri thirrje për një përgjigje më të fortë ndërkombëtare ndaj asaj që ai e cilësoi si “terror bërthamor rus”.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ngriti shqetësime të mëdha të shtunën në lidhje me bombardimet në Zaporizhzhia, duke thënë se sulmet rrisin rrezikun për një katastrofe bërthamore.

Katër muajt e fundit të luftës, Rusia është përqendruar në kapjen e rajonit Donbas të Ukrainës lindore, ku separatistët pro rusë kontrollojnë disa territore prej rreth tetë vitesh.

Forcat ruse kanë bërë përparime graduale në rajonin në kufi me Rusinë. Ditën e shtunë 5 civilë u vranë nga bombardimet ruse në qytetin e Donetskut.

Qyteti Mykolaiv, një qendër e rëndësishme e ndërtimit të anijeve është sulmuar me raketa nga forcat ruse. Një zyrtar i këtij qyteti tha se një ndërtesë industriale u sulmua me raketa të dielën.

XS
SM
MD
LG