Lidhje

Macron, Putin diskutojnë për rreziqet e sigurisë në centralin bërthamor 


FILE PHOTO - Zaporizhzhia Nuclear Power Plant near Enerhodar
FILE PHOTO - Zaporizhzhia Nuclear Power Plant near Enerhodar

Presidenti francez Emmanuel Macron i tha homologut të tij rus Vladimir Putin të premten se ai është i shqetësuar për rreziqet e sigurisë në centralin bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë, tha zyra e tij, duke shtuar se presidenti rus kishte rënë dakord për dërgimin e një misioni ekspertësh nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike për të inspektuar objektin.

Në një telefonatë që patën të premten, dy presidentët ranë dakord të vazhdojnë bisedimet në ditët në vijim, sipas një njoftimi nga presidenca franceze.

Operatori i energjisë bërthamore i Ukrainës tha të premten se dyshonte se Moska po planifikonte të shkëputje të centralit bërthamor të Zaporizhzhiaa nga rrjeti i Ukrainës, një operacion kompleks që Kievi thotë se mund të shkaktojë një katastrofë.

Sipas Kremlinit, zoti Putin tha në telefonatën me zotin Macron se goditja e centralit të kontrolluar nga Rusia, për të cilën ai fajësoi Kievin, përbën rrezik për një "katastrofë në shkallë të gjerë".

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha po të premten se energjia elektrike e prodhuar në centralin e Zaporizhzhias, i përket Ukrainës dhe kërkoi që ky parim të respektohej plotësisht.

Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëra-tjetrën për goditjen e centralit më të madh bërthamor në Evropë, i cili është nën kontrollin rus që në mars por që mbahet në punë nga teknikët ukrainas. Vetëm dy nga gjashtë reaktorët e objektit funksionojnë.

Zoti Guterres u tha gazetarëve në portin e Detit të Zi të Odesës se centrali duhet të çmilitarizohet, një lëvizje që ai tha se do ta zgjidhte problemin.

"Sigurisht që energjia elektrike e Zaporizhzhias është e Ukrainës dhe është e nevojshme veçanërisht gjatë dimrit për popullin ukrainas. Dhe ky parim duhet të respektohet plotësisht," tha ai.

Ukraina po përgatitet për dimrin e saj më të vështirë në më shumë se 30 vjet pavarësi dhe përballet me një mungesë të mundshme energjie që do të përkeqësohej nga ndërprerja e furnizimit nga centrali bërthamor.

Zyrtarët e ndihmës ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimin se një lëvizje e tillë nga Rusia mund të shkaktojë më shumë vështirësi veçanërisht në pjesën lindore të Ukrainës, dhe të nxisë më shumë njerëz të ikin jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG