Lidhje

Gjykata e Elbasanit lë në arrest dy rusët dhe ukrainasin e kapur në Gramsh


Dy shtetasit rusë dhe ai ukrainas në Gjykatën e Elbasanit

Në Shqipëri, gjykata e shkallës së parë në Elbasan, la sot në fuqi masën e arrestit me burg për dy shtetasit rusë dhe atë ukrainas, të ndaluar pasi njëri prej tyre kishte hyrë në mjediset e ish uzinës së armëve në Gramsh, dhe përdori spray paralizues ndaj dy ushtarakëve që e kapën atë. Prokuroria po heton ndaj tyre për veprat penale "Goditje për shkak të detyrës" dhe “Sigurim i informatave” në bashkëpunim. Prokuroria thotë se ka dyshime të bazuara në prova se ata kanë ardhur në Shqipëri me mision, të rekrutuar nga shërbimet inteligjente ruse.

Të ndaluar të shtunën pranë ish Uzinës së armëve në Gramsh, e cila është jashtë funksionit, dy rusët Mikhail Zorin, Svetlana Timofleeva dhe ukrainasi Fedir Alpatov, u paraqitën sot para Gjykatës së Elbasanit për vlerësimin e masës së sigurisë. Ndërsa ukrainasi Alpatov, mbrohej nga një avokat i zgjedhur nga familja, dy rusët, u përfaqësuan nga avokatë të caktuar nga gjykata.

Shqipëri, mbeten në burg dy rusët dhe ukrainasi të dyshuar për spinuazh
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:19 0:00

Prokuroria e Elbasanit thotë se “nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri, me mision, të rekrutuar nga shërbimet inteligjente ruse". Për këtë arsye prokurori ka urdhëruar që aktet e hetimit të konsiderohen sekret. Megjithatë, sipas këtyre akteve, mësohet që 23 vjeçari rus, Zorin, student në Republikën Çeke, të ketë pranuar se është ngarkuar nga shërbimet inteligjente ruse për të fotografuar objekte ushtarake dhe të infrastrukturës kritike. Në ato që prokuroria i cilëson si “pajisje speciale elektronike të fotografimit” mësohet se janë gjetur dhe imazhe të disa veprave hidroenergjitike të vendit.

Dy të tjerët, ukrainasi Alpatov dhe rusja Timofleeva, kanë mohuar të jenë pjesë e shërbimeve të huaja inteligjente, dhe se kishin ardhur në Shqipëri për turizëm. 33 vjeçarja Timofleeva, e cila është spostuar me banim në Gjerogji, pas konfliktit në Ukrainë, është një blogere, e njohur për foto nga objekte ushtarake, ndonëse me siguri të lartë. Në vitin 2012, fotografitë e saj nga brenda një fabrike raketash në afërsi të Moskës, patën jehonë jo të vogël.

Arrestimi i tyre u konsiderua i ligjshëm nga Gjykata e cila pranoi kërkesën e Prokurorisë duke konfirmuar masën e arrestit ndaj të treve. Avokatët nga ana e tyre kishin kërkuar një masë më të lehtë dhe ndjekjen e tyre në gjendje të lirë

XS
SM
MD
LG