Lidhje

Shkup, Ekspozitë me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës


Shkup, ekspozitë me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Nënës Terezë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Shkup, ekspozitë me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Nënës Terezë

Instituti për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut çeli një ekspozitë me fotografi për Nënën Terezë, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së shenjtores me origjinë shqiptare nga Shkupi. Instituti do ta paraqesë ekspozitën me fotografi të njohësve dhe shoqëruesve të Nënës Terezë edhe nëpër kryeqendra të tjera.

Në 25 vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve (ITKSH) në Maqedoninë e Veriut e shënoi këtë datë me një ekspozitë të fotografive me Nënën Terezë të bëra nga Dom Lush Gjergji dhe monsinjor Zef Gashi.

Ekspozita përkon edhe me datëlindjen dhe datën e kanonizimit të Nënës Terezë, teksa ekspozita një ditë më parë u shfaq edhe në Selanik të Greqisë.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Skender Hasani tha se ekspozita e titulluar “E kam në zemër popullin tem shqiptar”, është një lajtmotiv që ngërthen në vetvete udhëtimin nëpër kohë të gjithë filozofisë jetësore të Gonxhe Bojaxhiut - Nënës Terezë:

“Nëse zbërthejmë thënien e njohur - Një fotografi vlen sa 1000 fjalë -, mund të them lirisht se edhe këto fotografi që sot i kemi para nesh shprehin në vetvete linjat karakterologjike të një personaliteti kompleks, siç ishte Nënë Tereza, me gjithë botën e saj të pasur shpirtërore që manifestoi me vepra konkrete dedikuar të sëmurëve dhe të braktisurve. Ne që qëndrojmë në kujtime për qytetin e saj të lindjes dhe në të gjitha qytetet ku emri dhe vepra e saj lartësohen, mundohemi të ruajmë disa nga thesaret e trashëgimisë së saj jetësore, duke nxjerrë mësime dhe guxime që Nënë Tereza na i la si testament të shtrenjtë”, tha z. Hasani.

Zëvendës-kryeministri Artan Grubi përkujtoi përpjekjet e disa viteve më parë për imponimin nga qarqe të ndryshme në Shkup për një identitet të tjetërsuar ndaj së shenjtës Nëna Terezë dhe lirinë e mundësinë e tanishme që datat lidhur me shenjtoren të shënohen në mënyrë institucionale. Ekspozita u mbajt në ambientet e Ministrisë për Sistem Politik, në krye të së cilës është zoti Grubi:

”Dhe kjo, unë vlerësoj se është e arritura më e madhe e gjithë asaj rezistence dhe gjithë atij besimi në vlerat hyjnore të Nënës Terezë dhe veprës së saj dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar politikat tjetërsuese monoetnike, monofetare, monokulturore. 25 vite bëhen pa prezencën fizike të Nënës Terezë, por 25 vite që ne me krenari e themi se është nga Shkupi, që është shqiptare, por që i takon gjithë botës” u shpreh Zëvendës-kryeministri Grubi.

“Nëna Terezë si dimension universal është shumë pak e njohur nga ne dhe këtu do të mundohemi të bëjmë një kombinim... atë që është pak e njohur për botën, siç është jeta, fëmijëria dhe rinia e Gonxhe Bojaxhiut ne t’ia prezentojmë botës, ndërkaq, atë që nuk e njohim boll ne si departament ta zbërthejmë e ta shkoqisim në forma të tilla siç është kjo ekspozitë”, tha Emin Azemi, studiues i ITKSH-së.

XS
SM
MD
LG