Lidhje

Ukraina thotë se banorët po i detyrojnë të votojnë për bashkim me Rusinë


Gratë në pritje për të votuar në referendumin e orkestruar nga Rusia në Luhansk, Ukraina lindore (23 shtator 2022)
Gratë në pritje për të votuar në referendumin e orkestruar nga Rusia në Luhansk, Ukraina lindore (23 shtator 2022)

Vendet perëndimore dhe Ukraina thonë se votimet e rreme që filluan të premten synojnë aneksimin nga Rusia të katër rajoneve të pushtuara ukrainase.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u shpreh nëpërmjet një deklarate se “Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë territorin ukrainas si asgjë tjetër përveçse si pjesë e Ukrainës. Referendumet e Rusisë janë të rreme – një pretekst fals në përpjekje për të aneksuar pjesë të Ukrainës nëpërmjet forcës, në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar, përfshirë edhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Do të punojmë me aleatët dhe partnerët për t’i sjellë me shpejtësi kosto të ashpra ekonomike Rusisë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah partnerëve tanë në mbarë botën – dhe me çdo vend që respekton parimet themelore të Kartës së OKB-së – në refuzimin e çfarëdo rezultati të fabrikuar që do të shpallë Rusia. Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin ukrainas dhe do t’u ofrojmë asistencë sigurie për t’i ndihmuar të vetëmbrohen, ndërsa i rezistojnë me kurajo sulmit të Rusisë”.

Disa zyrtarë lokalë ukrainas thanë se votuesit po frikësoheshin dhe kërcënoheshin.

Rajonet e Ukrainës ku po zhvillohen referendumet
Rajonet e Ukrainës ku po zhvillohen referendumet

Gjatë votimit, që pritet të zgjasë nga e premtja deri të martën në provincat Luhansk, Kherson dhe në rajonet ku Rusia ka vetëm kontroll të pjesshëm, Zaporizhzhia dhe Donetsk, votuesve u parashtrohet pyetja nëse dëshirojnë që zonat e tyre të bëhen pjesë e Rusisë.

Qendra votimi u çelën edhe në Rusi, ku mund të votojnë refugjatë dhe persona të tjerë nga këto zona.

Vendet perëndimore dhe Ukraina thanë se votimi është i jashtëligjshëm, sipas ligjeve ndërkombëtare.

“Çfarëdolloj votimi apo referendumi në territorin e Ukrainës mund të shpallet dhe zhvillohet vetëm nga autoritetet legjitime, në përputhje me legjislacionin vendas dhe standartet ndërkombëtare”, u shpreh në një deklaratë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. “Pra, ‘referendumet’ e planifikuara do të jenë të jashtëligjshme”.

Zyrtarët ukrainas thanë se njerëzve u ishte ndaluar largimi nga disa prej zonave të pushtuara, deri në përfundimin e votimit, dhe se grupe të armatosura shkojnë nëpër shtëpi për t’i detyruar njerëzit të votojnë, ndërsa punonjësve u është thënë se do të shkarkoheshin nëse nuk merrnin pjesë në votime.

Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit ukrainas Luhansk, tha në qytetin Starobilsk, se popullatës iu ndalua të largohej dhe njerëzit po detyroheshin të dilnin nga shtëpitë e tyre për të votuar.

"Sot, gjëja më e mirë për njerëzit e Khersonit do të ishte të mos hapnin dyert e tyre", tha Yuriy Sobolevsky, zëvendëskryetari i parë i këshillit të rajonit Kherson, i zhvendosur diku tjetër.

Rezultatet e referendumeve, që priten menjëherë pas votimit, janë pothuajse të sigurta se do të mbështesin bashkimin me Rusinë.

"Ne po kthehemi në shtëpi," tha Denis Pushilin, udhëheqësi i Donetskut që mbështetet nga Rusia. “Donbasi është Rusi”.

"Të gjithë ne kemi pritur për një referendum për bashkimin me Rusinë për tetë vite të gjata", tha Leonid Pasechnik, udhëheqësi i mbështetur nga Rusia i rajonit Luhansk. "Ne jemi bërë tashmë pjesë e Rusisë. Mbetet vetëm një çështje e vogël - të fitojmë [luftën]".

Ukraina thotë se nuk do ta pranojë kurrë kontrollin rus mbi asnjë nga territoret e saj.

Referendumet u organizuan me shpejtësi pasi Ukraina në fillim të këtij muaji rimori pjesë të mëdha të verilindjes në një kundërofensivë.

Duke aneksuar këto katër zona, Moska mund t'i portretizojë sulmet për t'i rimarrë ato si një sulm ndaj vetë Rusisë - potencialisht edhe duke e përdorur atë për të justifikuar një përgjigje me armë bërthamore.

Një makinë ushtarake kalon nën një pankartë ku shkruhet "Me Rusinë përgjithmonë, 27 shtator", në prag të zhvillimit të referendumit në Luhansk, Ukraina lindore (22 shtator 2022)
Një makinë ushtarake kalon nën një pankartë ku shkruhet "Me Rusinë përgjithmonë, 27 shtator", në prag të zhvillimit të referendumit në Luhansk, Ukraina lindore (22 shtator 2022)

Në një fjalim televiziv këtë javë, Presidenti rus Vladimir Putin tha se Perëndimi po përpiqet të dobësojë dhe të shkatërrojë Rusinë dhe se vendi i tij "do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicionin tonë për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë".

Me njoftimin e zotit Putin se ai synon të thërrasë në shërbim aktiv 300 mijë forca të tjera për "operacionin e tij special ushtarak" në Ukrainë, Kremlini duket se po përpiqet të rivendosë nën kontroll konfliktin që vazhdon.

Fushata e mobilizimit të Rusisë nuk ka gjasa të rekrutojë ushtarë efikasë dhe po krijon një reagim publik, sipas një raporti nga Instituti për Studimin e Luftës.

“Autoritetet ruse po rekrutojnë me forcë shtetas rusë për të luftuar në Ukrainë me pretekste të dobëta, duke shkelur premtimin e Kremlinit se do të rekrutonte vetëm ata që kanë përvojë ushtarake”, raportoi instituti. “Autoritetet ruse po mobilizojnë gjithashtu në mënyrë të dukshme njerëz [siç janë protestuesit] që do të hyjnë në luftën në Ukrainë me moral jashtëzakonisht të ulët”, u shpreh instituti.

Ndërkohë, ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe zyrtarë ukrainas kanë vënë në dukje prova të reja të krimeve të luftës në Ukrainë.

Kreu i një organi hetimor të autorizuar nga OKB-ja tha të premten se krime lufte janë kryer në zonat e Ukrainës të pushtuara nga Rusia, përfshirë përdhunime, tortura dhe izolim të fëmijëve.

“Bazuar në provat e mbledhura nga komisioni, ai ka arritur në përfundimin se krime lufte janë kryer në Ukrainë”, tha Erik Mose, i cili kryeson Komisionin Hetimor për Ukrainën, në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

Ai nuk detajoi se kush ishin fajtorët, por komisioni është fokusuar në zonat e pushtuara më parë nga forcat ruse, si Kievi, Chernihiv, Kharkiv dhe Sumy.

Një ekspert mjeko-ligjor ekzaminon kufomën e një civili gjatë zhvarrimit në zonën e rimarrë rishtazi nga Ukraina në Izium, Kharkiv (23 shtator 2022)
Një ekspert mjeko-ligjor ekzaminon kufomën e një civili gjatë zhvarrimit në zonën e rimarrë rishtazi nga Ukraina në Izium, Kharkiv (23 shtator 2022)

Hetuesit nga komisioni i krijuar nga këshilli i të drejtave të njeriut në mars, vizituan 27 vende dhe intervistuan më shumë se 150 viktima dhe dëshmitarë.

Ata gjetën prova të një numri të madh ekzekutimesh, përfshirë trupa me duar të lidhura, grykë të çara dhe plagë me armë zjarri në kokë, tha zoti Mose.

Ai gjithashtu vuri në dukje se hetuesit kishin identifikuar viktima të dhunës seksuale që ishin midis moshës katër dhe 82 vjeç. Ndërsa disa ushtarë rusë kishin përdorur dhunën seksuale si strategji, komisioni "nuk ka krijuar ndonjë model të përgjithshëm për këtë qëllim", shtoi Mose.

Një i dërguar i Shteteve të Bashkuara i tha këshillit se: "Burime të shumta tregojnë se autoritetet ruse kanë marrë në pyetje, arrestuar dhe dëbuar me forcë midis 900 mijë dhe 1.6 milionë qytetarë ukrainas".

Ambasadorja amerikane Michele Taylor, përfaqësuese e përhershme e Shteteve të Bashkuara në këshill shtoi se: "Ne i nxisim komisionerët të vazhdojnë të shqyrtojnë provat në rritje të operacioneve të filtrimit të Rusisë, dëbimeve me forcë dhe zhdukjeve".

Rusia mohon sulmet e qëllimshme ndaj civilëve.

Rusisë iu kërkua t'i përgjigjet akuzave në mbledhjen e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, por vendi i saj mbeti bosh. Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm zyrtar nga Moska.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG