Lidhje

BE nis procesin për liberalizimin e vizave me Kosovën


FILE PHOTO: European Union flags flutter outside the EU Commission headquarters in Brussels, Belgium June 17, 2022.
FILE PHOTO: European Union flags flutter outside the EU Commission headquarters in Brussels, Belgium June 17, 2022.

Këshilli i Bashkimit Evropian tha të enjten pasdite se grupi punues për vizat ka zhvilluar diskutimin e parë mbi liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se “përgjithësisht e ka mbështetur liberalizimin”, por “në mënyrë që të arrihet përparim në këtë çështje, do të jetë e nevojshme të qartësohen një numër temash të ndërlidhura me këtë proces dhe të vazhdohen diskutimet”, thuhet në një njoftim për media.

BE nis procesin për liberalizimin e vizave me Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:50 0:00

Diskutimi i së ejtes, me dyer të mbyllura, u zhvillua dhjetë vjet pasi Komisioni Evropian i dha Kosovës udhërrëfyesin për këtë çështje.

Gjashtë vjet pas udhërrëfyesit, në vitin 2018 Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën. Të mërkurën Komisioni Evropian ritheksoi këtë rekomandim gjatë paraqitjes së raportit të zgjerimit.

“Lidhur me liberalizimin e vizave, Komisioni mbështet vlerësimet e muajit qershor të vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Propozimi mbetet ende peng në Këshill siç e dini dhe ne e mirëpresim faktin që diskutimet do të rihapen. Ne po i mbështesim këto diskutime me një përditësim teknik të vlerësimeve tona”, tha të mërkurën në Bruksel komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Diskutimet e hapura sot paraqesin fillimin e një morie procedurash dhe votimesh brenda strukturave të Bashkimit Evropian. Nëse do të arrihet pajtim, çështja i kalon ambasadorëve te vendeve anëtare, pas të cilëve do të hapej rruga për diskutimin ndërmjet tri institucioneve të Bashkimit Evropian, Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit.

Nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian nuk pritet të ketë ndonjë pengesë dhe nëse do të ketë pajtim edhe në këtë diskutim trepalësh, ai ka gjasë të konfirmohet nga ambasadorët formalisht në muajin nëntor.

Vendimi hidhet më pas për votim në komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, e pastaj edhe në seancë plenare. Pas kësaj ministrat e vendeve anëtare në Këshillin Evropian duhet ta konfirmojnë vendimin. Me këtë do t’i hapej rrugë hapit të fundit, që është botimi i vendimit në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, me ç’rast caktohet edhe data e hyrjes në fuqi të vendimit.

Njohës të fushës në Kosovë thonë se ka shpresa për një vendim pozitiv.

Diona Grezda nga Grupi Ballkanik për Hartim të Politikave, i tha Zërit të Amerikës se diskutimet e sotme paraqesin vazhdim të procesit aty ku kishte ngecur në vitin 2018.

“Pritshmëritë janë pozitive për faktin se kemi parë së fundmi deklarata shumë pozitive, posaçërisht nga Franca që ka dalë me qëndrim të përbashkët tash me Poloninë dhe Gjermaninë, duke kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne e dimë që deri tash Franca pak a shumë ka qenë problem, përveç shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe Holandës”, tha zonja Grezda.

Ajo theksoi se tërë procedura nga ky diskutim e deri në përmbyllje të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, vlerësohet se mund të marrë tre deri në gjashtë muaj.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Disa qytetarë që po prisnin të enjten para njërës nga ambasadat perëndimore thanë se liberalizimi do t’ua lehtësonte në masë të madhe lëvizjen jashtë vendit.

“Neve na lehtësohet si nga xhepi, me para, si nga mundi, të mos vijmë prej Prizrenit këtu, çdo gjë lehtësohet. Përafërisht për një aplikim me sigurime e me të gjithë dokumentacionin del diku tek 250 euro”, tha Bajram Gashi, i cili po priste të enjten para ambasadës.

“Është një mundësi e mirë sa i takon pritjeve, pasi që do të ketë pritje më të shkurta dhe natyrisht që shpenzimet do të jenë më të vogla për të gjithë”, tha Laura Mehmetaj, banore e Prishtinës.

Sipas një studimi të Grupit Ballkanik për Hartim të Politikave, që nga viti 2016 e deri në vitin 2021, 540 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për viza në ambasadat e vendeve evropiane. Ndërsa në total shpenzimet e tyre gjatë këtyre viteve në procesin e kërkimit të vizës arrijnë në 89 milionë euro.

XS
SM
MD
LG