Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Arden, një nga përfaqësuesit e parë të brezit të saj që zgjidhej si udhëheqëse e një vendi, njoftoi të enjten se po largohej nga posti pas pesë vitesh e gjysmë. Zonja Ardern është kthyer në një ikonë globale të së majtës dhe është vlerësuar në gjithë botën për mënyrën se si veproi pas njërës prej vrasjeve më masive në vend dhe si i trajtoi fazat e para të pandemisë COVID-19.
“Po njoftoj sot se nuk do të kërkoj rizgjedhje dhe se mandati im si kryeministre do të përfundojë jo më vonë se më 7 shkurt. Këto pesë vjet e gjysmë kanë qenë më përmbushëset e jetës sime, por kanë pasur edhe sfidat e veta”, tha kryeministrja Ardern, duke u përpjekur të përmbante emocionin.
Ajo tha se nuk po tërhiqej sepse puna ishte e vështirë, por sepse besonte se të tjerët mund të bënin një punë më të mirë dhe se 7 shkurti do të ishte dita e saj e fundit si kryeministre.
Njoftimi befasoi vendin me 5 milionë banorë.
Votimi për të zgjedhur udhëheqësin e ardhshëm laburist do të mbahet të dielën, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme janë planifikuar për më 14 tetor. Zonja Ardern beson se partia e saj do të fitojë.
Ajo u vlerësua në mbarë botën për mënyrën se si trajtoi një nga vrasjet më masive në historinë e vendit, si edhe fazat e hershme të pandemisë së koronavirusit.
Por ajo po përballej me presione politike në rritje dhe ishte vënë në shënjestër në një nivel që nuk ishte përjetuar nga udhëheqësit e mëparshëm të Zelandës së Re.
Zonja Ardern u bë një frymëzim për gratë në gjithë botën pasi fitoi për herë të parë postin e kryeministres në vitin 2017 në një moshë relativisht të re, 37 vjeç.
Ajo shënoi fitore të qendrës së majtë ndërsa populizmi i krahut të djathtë ishte në rritje globalisht: ajo miratoi një projektligj që synonte çlirim neto zero të karbonit deri në vitin 2050, mori masa për ndalimin e mbajtjes së armëve sulmuese dhe për 18 muaj arriti ta ruajë vendin nga përhapja e COVID-it.
Në vitin 2018, zonja Ardern u bë udhëheqësja e dytë botërore që lindi një fëmijë ndërsa ishte në detyrë. Më vonë atë vit, ajo e mori me vete vajzën e saj të mitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Në mars 2019, ajo u përball me një nga ditët më të errëta në historinë e Zelandës së Re, kur një supremacist i bardhë i armatosur sulmoi dy xhami në qytetin Christchurch dhe vrau 51 besimtarë gjatë lutjeve të së premtes.
"Është e qartë se një pjesë e motivimit të këtij individi ishte të krijonte një platformë për veten e tij. Mendoj se kjo është absolutisht e qartë dhe se ne duhet të mundohemi me të gjitha forcat ta privojmë kërë terrorist nga mundësia për ta përdorur një gjë të tillë", tha ajo në atë kohë.
Kryeministrja Ardern u vlerësua gjerësisht për ndjeshmërinë e saj ndaj të mbijetuarve dhe komunitetit më të gjerë mysliman të Zelandës së Re pas ngjarjes.
"Ajo me të vërtetë u përpoq ta trajtonte këtë problem paqësisht, me dhembsuri, përmes respektit reciprok. E admiroj Kryeministren e Zelandës së Re, është me të vërtetë e mrekullueshme", tha Dalai Lama.
Pas sumeve në xhami, zonja Ardern veproi me shpejtësi dhe brenda disa javësh u miratuan ligje të reja që ndalonin llojet më vdekjeprurëse të armëve gjysmë automatike.
Një skemë e mëvonshme për grumbullimin e armëve përmes riblerjes së tyre, e drejtuar nga policia, çoi në grumbullimin dhe shkatërrimin e më shumë se 50,000 armëve.
Më pak se nëntë muaj pas sulmeve, ajo u përball me një tjetër tragjedi kur 22 turistë dhe guida turistike u vranë kur shpërtheu vullkani i Ishullit të Bardhë.
Zonja Ardern u vlerësua globalisht për trajtimin fillestar të pandemisë së koronavirusit, pasi Zelanda e Re arriti të frenonte hyrjen e virusit në kufijtë e saj për muaj të tërë.
Por ajo u detyrua të braktiste strategjinë e tolerancës zero pasi u përhapën variante më ngjitëse dhe vaksinat u bënë gjerësisht të disponueshme.
Zonja Ardern u përball me zemërim në rritje nga ata që kundërshtonin urdhrat dhe rregullat për të frenuar koronavirusin.
Shumë vëzhgues thonë se qëndrimet seksiste luajtën rol në zemërimin e drejtuar ndaj saj.
Por kryeministrja dhe qeveria e saj u përballën gjithashtu me kritika se ajo kishte hedhur ide të mëdha, por nuk i kishte kthyer në realitet.
Përkrahësit e saj shprehën shqetësimin se ajo nuk kishte kthyer në realitet premtimet për përmirësimin e strehimit dhe reduktimin e varfërisë së fëmijëve, ndërsa kundërshtarët thanë se ajo nuk po përqendrohej mjaftueshëm te krimi dhe ekonomia në vështirësi.
Zonja Ardern i ka konsideruar ndryshimet e klimës si sfidën madhore të brezit të saj.
Por politikat e saj u përballën me mosbesim dhe kundërshtim, përfshirë nga fermerët që protestuan ndaj planeve për të taksuar çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë.
Zonja Ardern po përballej me një perspektivë të vështirë për rizgjedhje.
Partia e saj Laburiste e qendrës së majtë fitoi në vitin 2020 me një epërsi të përmasave historike, por sondazhet e fundit tregojnë se partia e saj është prapa rivalëve konservatorë.
Kryeministrja Ardern ndoqi një kurs të pavarur për Zelandën e Re në arenën globale.
Ajo u përpoq të kishte një qasje më diplomatike ndaj Kinës sesa Australia fqinje.
Në një intervistë me agjencinë Associated Press muajin e kaluar, ajo tha se ndërtimi i marrëdhënieve me vendet e vogla të Paqësorit nuk duhet të bëhet një lojë rivaliteti me Kinën.
Është e paqartë se kush do ta marrë postin e kryeministrit deri në zgjedhjet e 14 tetorit.
Zëvendëskryeministri Grant Robertson njoftoi se nuk do të konkurrojë për udhëheqjen e Partisë Laburiste, duke e lënë garën të hapur.
Ligjvënësit e Partisë Laburiste do të votojnë për një udhëheqës të ri të dielën. Nëse asnjë kandidat nuk merr të paktën dy të tretat e mbështetjes nga grupi parlamentar, atëherë gara do të zhvendoset tek anëtarësia e partisë.
Zonja Ardern tha se nuk ka ndonjë plan të menjëhershëm pas largimit nga detyra, përveç angazhimeve familjare me vajzën e saj, Neve, dhe të fejuarin e saj Clarke Gayford. Pandemia e koronavirusit i kishte penguar planet e tyre për t’u martuar.