Ditari - Scholz: Takimi i Procesit të Berlinit, në mes të tetorit në Tiranë
Kancelari, Olaf Scholz deklaroi sot se integrimi i shpejtë europian i Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Gjermaninë. Gjatë një takimi me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Berlin, ai njoftoi se takimi i Procesit të Berlinit do të mbahet në Shqipëri në mes të tetorit. Hera e parë që një takim i tillë zhvillohet në një vend të rajonit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se mirëpret përparimin në bisedimet e 27 shkurtit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat shënojnë një mundësi historike për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Zoti Stoltenberg i bëri komentet pas takimit në Bruksel me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Martesat e detyruara në Itali mes komuniteteve imigrante, shpesh u ka kushtuar jetën disa grave. Rastet e shumta kanë nxitur shtimin e zërave që kërkojnë drejtësi dhe mbrojtje më të madhe për gratë emigrante, që jetojnë midis traditave të vjetra familjare dhe mënyrave perëndimore të jetesës.